Fortlumturia e tij, Joan Pelushi , Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan vjen me një rrëfim ndryshe. Me mantelin e zi të Kryepeshkopit, ai nuk flet vetëm për fenë, por tregon më shumë për jetën e fëmijërinë e tij.
Në një kohë kur feja nuk lejohet dhe besimi cungohej, më keq ndalohej e dënohej, Fortlumturia e tij, Joan Pelushi tregon se lindi dhe u rrit në një lagje të Tiranës që ishte ndryshe nga realiteti komunist. Në rrugën “Qemal Stafa” ku ai kaloi fëmijërinë, s’mira, spiunllëku dhe fryma e komunizmit nuk kishin arritur dot që të çantin zemrat e njerëzve.
Ashtu sikurse tregoni vetë Kryepeshkopi, njerëzit atje kishin një qasje tjetër, një mënyrë tjetër të të menduarit, një dashamirësi ndaj njëri-tjetrit, sa nuk kishte lindur nevoja që shtëpive të tyre t’u vendosnin dryna e çelësa, ato qëndronin të hapura për këdo.
Blendi Fevziu: Jeni rritur në një periudhë ku feja ishte e ndaluar. Në të vetmin vend ateist me Kushtetutë të globit. Si e kujton atë kohë?
Fortlumturia e tij, Joan Pelushi: Ishte një periudhë e vështirë dhe jo e lehtë, sa ishim fëmijë ndoshta nuk e kuptonim dot të gjithë shtypjen.
Blendi Fevziu: Ju keni arritur ndonjëherë një kujtesë të besimeve fetare si fëmijë i vogël?
Fortlumturia e tij, Joan Pelushi: Shumë pak. Mbaj mend një herë një komshia jonë na mori bashkë me disa fëmijë të tjerë, por ishin Pashkët, por kam qenë shumë i vogël, te kisha në qendër, aty ku sot është “Hotel Tirana” dhe ai imazhi i asaj më ka mbetur gjithmonë në mendje. Qirinjtë, ikonat, imazhi i klerikëve të gjitha të krijonin një ide sikur hyje në një mision të botës, ajo më ka ngelur në mendje. Po siç kemi vizituar disa objekte të asaj kohe, ndonjë teqe, xhami, që mund të ishte atje afër. Unë jam lindur dhe rritur te rruga “Qemal Stafa”, jo shumë larg “Shkollës së Kuqe”.
Blendi Fevziu: Që ishte një grumbullim tipik i tiranasve autoktonë me dibranët e ardhur, pak e nga pak edhe me kor e ardhur, pak e nga pak edhe me korçarët. Ishte një zonë shumë interesante.
Fortlumturia e tij, Joan Pelushi: Në fakt kur jetonim atje nuk e kishim vënë re. Më vonë kur u rritëm pak më tepër dhe shkonim edhe nëpër lagje të tjera atëherë kuptuam se ishte realisht një lagje krejtësisht e veçantë. Edhe nga bisedat që bëheshin. Bisedat nuk ishin konformiste, njerëzit shprehnin disa mendime. Madje edhe tani mendoj si nuk janë arrestuar të gjithë ata në atë kohë!
Blendi Fevziu: Ishte një lagje që çuditërisht nuk u prek nga zakoni i keq i përgjimit, i spiunimit dhe mbi të gjitha ruajti një sens të realizmit në raport me atë që ndodhte.
Fortlumturia e tij, Joan Pelushi: Edhe respekti për tjetrin, prandaj dhe nuk ndodhnin denoncime.
Blendi Fevziu: Edhe familjet njiheshin me njëra-tjetrën dhe nuk ishte shumë kollaj që të hynte fryma e spiunimit që komunizmit futi edhe brenda familjes.
Fortlumturia e tij, Joan Pelushi: Rrugica ku jetonim ne ishte një rrugicë qorre, ku kishte shumë familje. Mbaj mend që asnjë shtëpi nuk kishte çelës për ta mbyllur. Ne hynim nëpër oborret e njëri-tjetrit dhe luanim. Ne na dukej normale, sepse atë kishim parë. Ishte një frymë e ndryshme që ndryshonte nga shumë lagje të tjera./tvklan.al












Botërori 2026 
