Nuk kanë të sosur ngjarjet e rënda këtë të hënë. Pas Shkodrës kur një person u ther me thikë për vdekje tek dera e shtëpisë, një tjetër konflikt ka ndodhur këtë herë në Lezhë.

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj Arben Gjinit, 35 vjeç nga Mirdita. I plagosuri ka marrë plagë në këmbë dhe shpatull.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:45, në Ishull Lezhë. 35 vjeçari është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Gjithashtu, policia bën me dije se në Kolsh – Lezhë, është gjetur i djegur mjeti tip Benz, i denoncuar i vjedhur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e plagosjes.

Grupi hetimor në vendngjarje, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.

I plagosuri Arben Gjini është ekstraduar nga Italia në Shqipëri më 9 Dhjetor 2015. Në vitin 2011, Gjykata e Apelit në Itali e kishte dënuar me 5 vite burg për “trafik droge” dhe “ndihmë kriminale”. Ai u transferua në vendin tonë për të vuajtur dënimin dhe ka dalë nga burgu para pak kohësh. /

tvklan.al