Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Durrësit që pushoi çështjen ndaj Florenc Çapjas për vrasjen e mbetur në tentativë të ish-policit të rrugores, Fadil Mema.

Ky vendim u mor nga trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni të cilët i dhanë të drejtë Prokurorisë që kundërshtonte pushimin e kësaj çështje.

Më datë 20 nëntor të vitit 2019, gjyqtari I Elbasanit Tomor Kullolli vendosi pushimin e çështjes për Florenc Çapjan. Më 14 prill të 2020  gjyqtarja e Apelit të Durrësit, Anita Mici rrëzoi përfundimisht akuzat ndaj Florenc Çapjas, Por ky vendim u rrëzua së fundmi nga Gjykata e lartë. Në vitin 2006 Punonjësi i policisë Rrugore mbeti i plagosur në një atentat në qytetin e Elbasanit. Pas 9 vitesh ai u vra në Itali në sy të bashkëshortes.

Në korrik të vitit 2021 autoritetet në Dubai kanë hequr mbikqyrjen për Florenc Capjan, i cili që prej asaj kohe është i lirë.

Ai është në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në qytetin e Elbasanit.

Për këtë krim, më 15 Nëntor Apeli i Gjykatës së Posacme dënoi më burgim të përjetshëm Florenc Çapjan, Ardian Çapjan dhe Olsi Lekun. 25 vite burg u vendos për Etjen Canin dhe Klajdi Dokolin ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, u dënua 15 vite.

Klan News