Detaje të tjera mësohen rreth dy atentatorëve  të cilët tentuan të vrisnin Dashamir Gjokën.

Burime zyrtare nga Policia e Durrësit i thanë tvklan.al se Morel (36 vjeç)  dhe Enkeli (31 vjeç) Kërtalli janë vëllezër të Elvin Kërtallit 37- vjeçarit që mbeti i ekzekutuar mbrëmjen e 26 gushtit të vitit 2013 në qendër të Qytetit të Shijakut.

Shumë ngjarje të mëvonshme  kriminale të ndodhura në Durrës dhe Shijak u dyshuan si të lidhura me tentativën për hakmarrje ndaj vrasjes së 37 -vjeçarit Kërtallit dhe plagosjes së mikut të tij Dorian Zotaj person me precedent të mëparshëm kriminal.

Mes tyre renditet dhe ngjarja e 21 Janarit 2016 , ku policia arriti të parandalonte një vrasje me pagesë duke arrestuar  3 autorët.

Foto: Elvin Kërtalli

– 23 Gusht 2013 Vritet Elvin Kertalli , plagoset shoku

Një person është ekzekutuar me  automatik dhe pistoletë , ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Shijakut. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qendër të qytetit, përpara godinës së Albtelekomit. Viktimë e atentatit ka mbetur Elvin Kërtalli, 37 vjeç, banor i qytetit, ndërsa është plagosur shoku i tij Dorian Zotaj, lindur në Shijak e banues në Tiranë. Sipas policisë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Kërtalli, nën shoqërinë e të vëllait dhe shokut të tij Dorian Zotaj, sapo kishin dalë nga një  pikë “Eurolloto”, dhe gjatë kohës që po lëviznin në këmbë për të shkuar pranë automjeteve janë qëlluar me një breshëri armësh zjarri, nga tre persona të cilët po lëviznin me një automjet tip “Audi” pa traga, duke lënë një të vdekur dhe një të plagosur.

tvklan.al