Dalja e ish-kryetarit të Bashkisë Himarë, Alfred Beleri nga burgu ka qetësuar disi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, por nuk ka mundur të heqë pengesat e Athinës në rrugën e vendit tonë në procesin e anëtarësimit në BE.

Kryeministri grek Qiriakos Mitsotakis gjatë konferencës vjetore për shtyp të dhënë në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut theksoi se periudha që nga arrestimi deri në daljen e Belerit nga burgu ishte një kohë e vështirë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

 “Kaluam një kohë të vështirë dhe nuk dua të flas në detaje për rastin Freddy Belleris. Shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Ekspozitën Ndërkombëtare dhe që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mori fund”.

Por ndërsa ky ngërç u zgjidh me vendimin e gjykatës së Fierit që nxorri Belerin nga qelia, kryeministri grek thotë se çështja e respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri do të jetë kusht nga ana e Greqisë për integrimin e Shqipërisë.

 “Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë marrëdhënie shumë të mira, kalojnë në respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë. Çështja e të drejtave pronësore nuk doli asnjëherë nga agjenda. Ajo po kthehet dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”.

Kreu i qeverisë greke tha se ngritja e kësaj çështjeje në Bruksel do të jetë dhe një nga detyrat e Alfred Belerit si anëtar i Parlamentit Europian.

Tv Klan