Plazhi i Tales në Lezhë është kthyer në atraksionin më të ri turistik të kësaj vere, duke tërhequr pushues të shumtë. Infrastruktura rrugore, shërbimet e përmirësuara, pastërtia e mjedisit dhe çmimet e favorshme e rendisin këtë plazh në listën e më të frekuentuarve. Talja frekuentohet kryesisht nga pushues nga Kosova, por edhe të huaj.

Qytetari 1: “Kam ardhur nga Tirana vetëm se më kanë thënë këtu është më pastër se sa në Durrës, bregdetin që kemi afër Tiranës”.

Qytetari 2: “Pastërtia është në nivel, në rregull gjithçka në vijë kështu që ta kemi kënaqësi me shoqëri, të kënaqemi, ta kalojmë një ditë të bukur”.

Qytetari 3: “Normalisht që kushtet janë shumë të mira, deti është shumë i pastër, rëra është shumë e pastër, çmimet janë shumë të lira”.

Qytetari 4: “Unë jam nga Tirana dhe kam ardhur këtu sepse rërën e ka speciale fare njëherë, ambienti është akoma dhe më i freskët, kushtet janë bërë speciale fare, pastërti, deti i qetë”.

Sipas Kryetarit të komunës Fran Frrokaj këtë vit numri i shërbimeve është rritur gjithashtu dhe kushtet janë përmirësuar.

Fran Frrokaj: “Jemi të gjithë dëshmitarë të investimeve të mëdha që ka bërë qeveria në këtë drejtim dhe mesa duket të gjithë po kuptojnë që drejtimet më të mira për investime në Shqipëri ngelet fusha e turizmit. Në këtë sens edhe ne i kemi paraprirë këtij problem dhe jemi munduar që me të gjitha forcat të jemi bashkëkohor në shërbimet që ofrojmë në këtë drejtim”. 

Në vitin e kaluar pushuesit e vetëm që frekuentonin këtë plazh ishin banorët e zonave përreth. Por me përmirësimin e infrastrukturës rrugore, kushteve të akomodimit dhe cilësisë së shërbimit, ky plazh po bëhet gjithnjë e më i pëlqyer nga pushuesit./tvklan.al

/tvklan.al