Sydney e ka pritur Vitin e Ri nën një prani të pazakontë policore, pas sulmit tragjik që ndodhi në plazhin Bondi më 14 dhjetor, ku u shënjestrua komuniteti hebre dhe humbën jetën 15 persona gjatë festivalit të Hanukës.
Siç shkruan BBC, mbi 2 mijë e 500 oficerë policie të armatosur rëndë patrulluan rrugët e qytetit, duke mbajtur edhe armë të avancuara si pjesë e masave të shtuara të sigurisë.
Festimet zyrtare u ndalën për një minutë heshtje në orën 23:00, ndërsa ura e famshme e Sydney-t “Harbour”, u ndriçua me dritë të bardhë, simbol i paqes.

Fotot nga porti treguan oficerë me armë të mëdha që qëndronin mes turmave që kishin ardhur për të parë fishekzjarrët e mesnatës.
Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor (NSW), Chris Minns, paralajmëroi se pamja e policëve të armatosur mund të ishte “tronditëse” për qytetarët, por shtoi se siguria e komunitetit është prioritet. Ai u bëri thirrje banorëve të mos lejojnë që “ngjarja kriminale terroriste” të ndryshojë mënyrën e jetesës dhe i ftoi të festojnë me sfidë dhe guxim.

Turistët britanikë Joe dhe Lucy, thanë se prania e shtuar e policisë i bëri të ndihen më të sigurt. Ndërkohë, spektatorë si Hélène nga Belgjika theksuan se “njerëzit nuk mund të jetojnë në frikë” pas sulmit.
Qindra mijëra persona u mblodhën në portin e Sydney-t, me shumë zona zyrtare që u mbushën plot që në mbrëmje. Varkat me vela në ujë ofruan një nga pamjet më të mira për shfaqjen ikonike të fishekzjarrëve, e cila shënoi nisjen e festimeve globale që më pas vazhdon nga Dubai, Londra e deri në New York.












Botërori 2026 
