Kupa e Botës 2026 po rezulton një turne i mbushur me spektakël, surpriza dhe mbi të gjitha me një numër jashtëzakonisht të lartë autogolash.
Një fenomen që ka tërhequr vëmendjen e trajnerëve, vëzhguesve dhe analistëve të merkatos, deri në atë pikë sa është bërë një nga temat më të diskutuara të kompeticionit.
Sipas të dhënave të publikuara nga shtypi ndërkombëtar, në fazat e para të turneut janë regjistruar tashmë shtatë autogola, një shifër që tejkalon ndjeshëm të gjithë Kupën e Botës të zhvilluar në Katar në vitin 2022, ku gjatë gjithë turneut u shënuan vetëm dy autogola.
Analistët sportivë vlerësojnë se këto gabime po ndikojnë në mënyrë vendimtare në rezultatet e ndeshjeve dhe se ato janë pasqyrim i evolucionit taktik të futbollit modern.
Në veçanti, në botën arabe është komentuar gjerësisht autogoli i mbrojtësit egjiptian Mohamed Hany në ndeshjen ndaj Belgjikës, e cila përfundoi në barazim, duke i mbajtur “Faraonët” ende në garë për kualifikim.
Sipas shumë ekspertëve, ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit bashkëkohor. Ekipet moderne ndërtojnë aksione gjithnjë e më të shpejta dhe agresive, të bazuara në krosime të forta në zonë, presing intensiv dhe lëvizje të vazhdueshme të sulmuesve.
Në këtë kontekst, mbrojtësit detyrohen të reagojnë në fraksione sekonde, shpesh pa kohë të mjaftueshme për të vlerësuar situatën.
Një devijim i pavullnetshëm, një top i rikthyer në mënyrë të papritur apo një ndërhyrje e dëshpëruar mund të shndërrojnë një veprim mbrojtës në gol në portën e vet.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se rritja e shpejtësisë së lojës po zvogëlon ndjeshëm hapësirën për gabime, duke rritur probabilitetin e episodeve që në të kaluarën do të ishin shumë më të rralla.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
