Autori për tentativën e vrasjes së Donald Trump është një aktivist pro Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

BBC dhe CBS raportojnë se në rrjetet sociale të Ryan Wesley Routh 58 vjeç janë gjetur thirrje të shumta që ai u bënte luftëtarëve të huaj për të shkuar të luftonin në Ukrainë.

Madje në vitin 2023, ai kishte thënë për New York Times se kishte udhëtuar në Ukrainë menjëherë pas pushimit rus në vitin 2022 për të gjetur luftëtarë të huaj, përfshirë edhe ushtarë afganë që ishin larguar prej talebanëve nga Afganistani.

Gjithashtu, në skedat e policisë amerikane rezulton se Ryan Wesley Routh është person me precedent penal për armëmbajtje pa leje.

Duke folur për mediat amerikane, djali i të arrestuarit e përshkroi atë si një “baba të dashur dhe të kujdesshëm”.

Kjo është tentativa e dytë për vrasjen e Donald Trump gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale të Nëntorit.

Kësaj radhe, autori ishte fshehur në një shkurre i armatosur pranë fushës së golfit të Donald Trump. Ai u neutralizua nga Shërbimi Sekret, pasi një agjent pa tytën e një pushke të dilte nga shkurret. Agjenti qëlloi duke e ndaluar, por më pas autori u largua me makinë. Ai u ndalua pak më vonë dhe u arrestua.

Donald Trump nuk pësoi asnjë lëndim. E gjithë politika amerikane e ka dënuar fort tentativën e dytë për vrasjen e Donald Trump.

Nga verifikimet e së shkuarës të të dyshuarit, rezulton se ai ka qenë mbështetës dhe ka votuar për Donald Trumpin në vitin 2016. Më pas u tërhoq nga mbështetja e tij ndaj Trump.

“Ju ishit zgjedhja ime në 2016, unë dhe bota shpresonim që Presidenti Trump do të ishte ndryshe, por të gjithë u zhgënjyem. Do të jem i lumtur kur të largoheni”, ka shkruar 58-vjeçari në rrjetet sociale përpara disa vitesh.

Nga të dhëna të tjera është zbuluar se ai ka dhuruar më shumë se 100 Dollarë për “ActBlue”, që përpunon donacionet e dhuruara për demokratët amerikanë.

/tvklan.al