Incidentit të ndodhur në West Palm Beach, të Floridas iu përgjigj edhe FBI, e cila në një reagim që përcjell CNN, tha se “po hetonte atë që duket të jetë një atentat ndaj ish-presidentit Donald Trump”.

Është e para agjenci ligjzbatuese që e formulon diçka të tillë deri në këto momente në fakt, pasi zyrtarët pranë Trump kanë qenë tejet të rezervuar në dhënien e informacionit.

Ndërkohë në një konferencë për mediat, Shërbimi Sekret sqaroi se zyrtari i cili kishte për detyrë të qëndronte pranë Trump ndërkohë që ai po luante golf kishte dalluar një armë që dilte nga shkurret rreth fushës dhe në këtë moment agjentët e tij hapën zjarr.

Një dëshmitar tha se kishte parë një person që vraponte nga shkurret dhe ishte futur në një makinë Nissan të zezë, e cila u ndalua më pas nga policia. Në vendin ku fshihej i dyshuari, autoritetet zbuluan një armë automatike AK-47 me dylbi, dy çanta shpine dhe një kamera GoPro.

Stafi i Trump reagoi menjëherë pas ngjarjes duke thënë se ai ishte i sigurt. Pak kohë më pas reagoi edhe vetë Trump, i cili tha se ishte “shëndoshë e mirë”.

“Pati të shtëna me armë zjarri në afërsi të vendit ku po qëndroja. Por përpara se thashethemet të dalin jashtë kontrollit, doja që të dëgjonit këtë: Jam shëndoshë e mirë. Asgjë nuk do më ngadalësojë, nuk do dorëzohem kurrë. Do t’ju dua gjithmonë për mbështetjen tuaj”, tha Trump.

Ngjarja vjen pas atentatit të dështuar ndaj Trump që ndodhi më 13 Korrik gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani. Prej asaj kohe, siguria rreth kandidatit republikan ka qenë e shtuar./tvklan.al