“Në 6 prej tyre u fshinë informacionet e mbledhura nga INSTAT”
Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike AKCESK ka dhënë më tepër detaje në lidhje me sulmin kibernetik ndaj Institutit të Statistikave më 1 Shkurt të këtij viti.
Në momentin e parë që AKCESK u vu në dijeni të sulmit, angazhoi menjëherë ekipin e Analizës së Sigurisë Kibernetike për të ofruar ndihmë në parandalimin dhe rimëkëmbjen e sistemeve të infrastructures se INSTAT.
Pas ndihmës së AKCESK në parandalimin e përshkallëzimit të sulmit, ekspertët kanë bërë një skanim total të të gjithë serverave për të identifikuar kërcënime të mundshme dhe për të rivendosur të dhënat në serverat e prekur.
Nga analiza e zhvilluar deri tani, është konfirmuar se sulmuesit e “Homeland Justice”, përdorën skedarin MEK-DDMC.exe për të ekzekutuar një virus me përmbajtje keqdashëse. Ky sulm i njohur si Wiper (Fshirës) kishte si qëllim fshirjen e të dhënave të sektorit Boot dhe prekjen e pajisjeve brenda Active Directory thekson AKCESK.
Për hyrjen në sistem mendohet se është shfrytëzuar serveri Exchange për shkak të një versioni të papërditësuar dhe virusi i shpërndarë ka infektuar 40 kompjutera te INSTAT, nga ku ka fshirë 6 prej tyre. Më pas virusi ka bërë fshirjen e serverit në të cilin kryheshin ekzekutimet e komandave.
Bazuar në informacionin e disponueshëm, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike njofton se aktorët që qëndrojnë pas këtij sulmi kibernetik ndaj INSTAT janë identifikuar si “Homeland Justice”, një grup sulmi i sponsorizuar nga shteti iranian që ka kryer tashmë sulme të tjera në të kaluarën.
AKCESK nënvizon se në të njëjtën kohë, po punohet edhe në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, të cilët kanë ofruar ndihmë për të adresuar këtë situatë të ndërlikuar. Pak ditë më parë vetë INSTAT bëri të ditur se nga ky sulm kibernetik nuk janë prekur të dhënat e Censit të 2023.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 