Modernizimi i rrjetit hekurudhor të vendit duke e bërë atë të njëjtë me vendet e tjera të BE-së mbetet ndër synimet e qeverisë.

Sipas ministrit Enea Karakaçi projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit po avancon gjithnjë e më shumë si për stacionet por edhe për elektrifikimin.

“Shqipëria është duke ndërtuar një program të gjerë investimesh që synon të rikthejë dhe modernizojë rrjetin hekurudhor, duke e integruar gradualisht me rrjetet rajonale dhe evropiane. Projekti i linjës Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin e tyre. Punimet për rehabilitimin dhe stacionet tashmë janë drejt përfundimit dhe komponenti i fundit i këtij projekti, elektrifikimi, parashikohet që të mbyllet brenda vitit 2027”, tha Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi.

Siguria dhe mirëmbajtja janë një tjetër element i rëndësishëm i linjës hekurudhore nënvizon ministri.

“Duam një shërbim që të jetë i matshëm dhe i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, në kohë, i sigurt, i besueshëm, i mirëmbajtur dhe me një cilësi të përcaktuar qartë. Procedura që po përgatitim duhet të garantojë njëkohësisht edhe konkurrencën, transparencën dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të marrë nga tregu zgjidhjet më të mira”, tha Karakaçi.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe linja Vorë-Hani i Hotit prej rreth 120 kilometrash, që po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian.

Klan News

/tvklan.al