Avokatja e Popullit Erinda Balanca ka zhvilluar sot më 6 nëntor, një vizitë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, ku ka takuar kryebashkiakun e pezulluar të Tiranës, Erion Veliajn.

Vizita u realizua pas ankesës së bërë nga Veliaj lidhur me kushtet dhe mënyrën e trajtimit gjatë qëndrimit në paraburgim.

Avokatja e Popullit ishte e shoqëruar nga dy komisionerët Ahmet Prenci dhe Besnik Dedja, raporton për Klan News, gazetarja Glidona Daci.

Gjatë takimit, u diskutua mbi respektimin e të drejtave të personave të ndaluar dhe kushtet e trajtimit në institucion. Burime nga zyra e Avokates së Popullit bënë me dije se vizita kishte karakter monitorues dhe synonte verifikimin e çdo pretendimi për shkelje të të drejtave.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në IEVP Durrës, Avokatja e Popullit ka takuar edhe ish-ministrin Lefter Koka. Vizita pritet të pasohet nga një raport zyrtar mbi gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.

/tvklan.al