Mazhoranca insiston se nuk do të ketë shtyrje të afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore përtej datës 30 nëntor.
Në tryezë janë disa çështje si, depolitizimi i komisioneve zgjedhore, rregullimi i mbulimit mediatik te fushatave, përfshirja e administratës në zgjedhje apo financimi i partive politike për të cilat Taulant Balla kërkoi pjesëmarrjen e opozitës në komision.
Ai i bëri thirrje të rëflektojë në mënyrë që reforma të mos miratohet në mënyrë të njëanshme.
“Grupi i PS s’mund të mbështesë zgjatjen e afatit të komisionit sepse koha ka qenë e mjaftueshme. S’mund të përsërisim të njëjtën lojë të pistë në kurriz të anëtarësimit të Shqipërisë. Konsensusi për ligjin e financimeve të partive politike është 84 vota, ne i kemi dhe do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse PD nuk vjen. Anëtarësimin e Shqipërisë në BE s’mund ta mbajë peng askush”, tha Balla.
Mbështet shtimin e numrit të KZAZ por jo hapjen e listave për këshillat Bashkiakë.
“Ne jemi kundër hapjes së listave për këshillat bashkiakë. Në 2020 i hapëm listat dhe nga SHQUP-i qëllohej me top. Ka një propozim të ODIHR për rritjen e numrit të KZAZ-ve. KZAZ-të duhet të shtohen. Çfarë e pengon PD që të bëjmë 140 KZAZ?”, tha Balla.
I pyetur mbi kërkesën e kryebashkiakut Veliaj për të marrë pjesë në Asamblenë Kombëtare, Balla deklaroi se PS, nuk bëhet mburojë e askujt në përballjen me Drejtësinë.
“Mendoj, dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së”, tha Balla.
Një koment Balla e kishte edhe për diskutimet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për situatën politike në Shqipëri e specifikisht për deklaratat e Michael Gahler.
“Për mua deklaratat e eurodeputetit Gahler janë të barabarta me deklaratat e koleges Albana Vokshi”, tha Balla
/tvklan.al












Botërori 2026 