11 Nëntor 2026 – Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditura katër çështjet kryesore që, sipas tij, duhet të adresohen në kuadër të reformës zgjedhore. Gjatë një deklarate për mediat, Balla theksoi nevojën për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, rregullimin e mbulimit dhe financimit mediatik, parandalimin e përfshirjes së administratës publike në fushata elektorale, si dhe garantimin e transparencës në financimin e partive politike.

Sa i përket përfshirjes së administratës publike në proceset zgjedhore, Balla paralajmëroi se, në mungesë të një marrëveshjeje me opozitën, qeveria mund të ndërhyjë përmes akteve nënligjore, vendimeve dhe udhëzimeve, me synim vendosjen e kufizimeve për zgjedhjet lokale të 9 majit.

“Reforma zgjedhore ka katër çështje. Çështja e parë është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar gjashtë vite dhe po bëhet viti i shtatë. Unë besoj se, edhe në funksion të një konteksti të ri politik, nuk mund ta kenë vetëm PS-ja dhe PD-ja kontrollin e plotë mbi procesin e votimit, por duhet të ketë një shumicë që vjen nga jashtë politikës. Le të hedhim një hap të madh drejt depolitizimit. Dimensioni i dytë jeni ju, mediat. Të gjitha raportet kanë nxjerrë në pah se duhet një rregullim i mbulimit mediatik, i transparencës dhe i financimit. Çështja e tretë lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe është një çështje që duhet adresuar. Nëse opozita nuk pranon ta adresojmë së bashku përmes ligjit, për zgjedhjet e 9 majit qeveria jonë do të ndërhyjë me akte nënligjore, me vendime apo udhëzime. Çështja e katërt është financimi i partive politike dhe këtu jemi pa fjalë. Ka pasur një lexim të parë nga Komisioni i Venecias për draftin dhe ne do të marrim si shembull modelin më të mirë të ligjit për financimin e partive politike”, tha Balla.

Balla: Afati i 30 nëntorit nuk do të shtyhet

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së i bëri thirrje opozitës të reflektojë dhe të angazhohet në punimet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Balla u shpreh se Partia Socialiste nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të komisionit, duke argumentuar se palët kanë pasur kohën e nevojshme për të përmbushur detyrën e tyre.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk arrihet një dakordësi deri në datën 30 nëntor, mazhoranca do të vijojë me miratimin e reformës në mënyrë të njëanshme.

“Të reflektojnë! Palët të vijnë dhe të marrin pjesë në seancën plenare për buxhetin. Buxheti më i madh në histori e meriton respektin për të qenë aty. Data 30 nëntor është afati i fundit i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, PS nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit, sepse koha ka qenë e mjaftueshme prej një viti. Ne do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme, nëse data 30 kalohet”, shtoi ai.

Balla ironizon Berishën: Student 80-vjeçar

Në vijim, Balla komentoi edhe qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj reformës zgjedhore, duke shprehur shpresën se opozita do të ndryshojë qasje deri në përfundimin e afatit të përcaktuar. Ai nënvizoi se miratimi i ligjit për financimin e partive politike duhet të përfundojë brenda muajit dhjetor, në përputhje edhe me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Duke iu referuar qëndrimit të opozitës në Kuvend dhe deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha, Balla përdori tone ironike, duke e cilësuar atë si një “student 80-vjeçar”. Sipas tij, opozita ka zgjedhur të ndjekë një strategji bojkoti ndaj punimeve parlamentare.

“Unë ende shpresoj që deri më 30 nëntor të ketë reflektim nga PD-ja, por duhet të kuptoni që ligji për financimin e partive politike duhet të miratohet me çdo kusht nga Shqipëria brenda dhjetorit. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, edhe në funksion të asaj që thotë BE-ja. Ishte një kolege nga opozita që kishte nxjerrë detyrat e shtëpisë, ku detyra e parë ishte miratimi i reformës zgjedhore. E dyta ishte përfshirja sa më e madhe dhe konsensusi. Por, kur nga pala tjetër nuk ka dëshirë për t’u përfshirë, ne e kemi të qartë që rekomandimet e BE-së janë detyrat e shtëpisë. Por ti nuk pranon fare dhe na nxjerr si forcë politike të protestës.

Sali Berisha merr formën e një studenti 80-vjeçar. Këtë lojë mund ta luajë me këdo tjetër, por jo me ne. Përfaqësuesi i PD-së, edhe në Konferencën e Kryetarëve, tha se 45 ligje që kemi propozuar ne nuk janë përfshirë. Zoti Peleshi i tha të lexonte kalendarin në program, sepse ishin përfshirë dhe, kur e lexoi, e pa që ishin përfshirë. PD-ja ka dy faza në qasjen ndaj Kuvendit. E para është bojkoti dhe jemi në fazën e bojkotit deri kur të vijë gjeli i detit dhe bakllavaja”, tha më tej Balla.

Kërkesa e Veliaj për të marrë pjesë në Asamblenë e PS, Balla: Nuk jemi mburojë e askujt

Taulant Balla ka komentuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, drejtuar Partisë Socialiste dhe SPAK-ut për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve.

I pyetur nëse PS-ja do t’i kërkojë SPAK-ut autorizim që Veliaj të flasë gjatë mbledhjes së 14 nëntorit, Balla u shpreh se kjo çështje i takon sekretarit të përgjithshëm të partisë.

Ai tha se Veliajn e konsideron mik, por theksoi se kryebashkiaku duhet të përballet vetë me drejtësinë, pa përfshirë Partinë Socialiste. Sipas Ballës, PS-ja nuk është mburojë për askënd.

Unë mendoj dhe e kam thënë, që çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të PS-së, në të gjitha nivelet, me drejtësinë janë çështje individuale. As PS-ja, as Asambleja, as Kryesia, as organizatat socialiste nuk janë mburojë e askujt në përballjen me drejtësinë.

Në këtë këndvështrim, Veliajn e kam mik, por përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë grushtin dhe trëndafilin e PS-së. Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut.

Për sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim është në shkelje të parimeve themelore dhe të vendimit të Gjykatës Europiane. Përballjen me drejtësinë çdo përfaqësues i PS-së e ka më vete. S’bëhemi mburojë. Çdo përfaqësues të mos përfshijë organet e PS-së. Këto vendime i marrin organet e drejtësisë”, u shpreh Taulant Balla. (Lexo më shumë)