Nga debatet nga salla e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla vazhdon debatin përballë gazetarëve në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan për Reformën e re Territoriale.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Mentor Kikia për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, Balla shprehet se 15 bashki “po shkrihen” për shkak të perfomancës së ulët të funksionalitetit në shërbim të qytetarëve.

Sipas Ballës këto 15 të vogla, të cilat me projektin e Reformës së re Territoriale, bashkohem me bashkitë e mëdha, do të kenë më shumë fuqi që të në ardhmen të përballojnë standardet e integrimit në Bashkimin Europian.

Mentor Kikia: Unë kam punuar në një projekt për monitorimin e qeverisjes vendore, si ka performuar reforma. Në një njësi administrative në Lezhë, fryu era natën, ra një pemë dhe zuri rrugën, nuk shkoi autobusi që të dërgojë mësues në shkollë, u bllokua trafiku dhe si do lirojmë rrugën. U njoftua Bashkia Lezhë dhe i thanë që prit se kemi probleme edhe më të mëdha dhe atëherë administratori pagoi me lekët e veta  njërin që kishte sharrë në fshat, preu pemën dhe liroi rrugën. Ky është problemi.

Taulant Balla: Mos e ktheni në qesharake tani! Sot sa më të mëdha bashkitë aq më shumë efektive shërbimet dhe kanë më shumë kapacitet.

Mentor Kikia: Janë më të përqendruara shërbimet.  

Taulant Balla: Përsëri insistoj që këto 15 bashki, që po bashkohen tani në këtë fazë të dytë të reformës, këto 15 bashki janë rasti tipik i bashkive që nuk performonin si duhet në shumë aspekte, se nuk po i marr me radhë, sepse duhet të kisha ardhur me një tabelë, në funksionalitetin që ato kanë për t’u dhënë shërbim njerëzve. Gjëja që do të mundohem të them është që këto 15 bashki, që nga 61 bashki kalojmë në 46, me bashkitë që bashkohen do të kenë më shumë fuqi për të konkurruar për programe dhe projekte të bashkimit Europian.

/tvklan.al