Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku reagoi për herë të parë në lidhje me akuzat nga SPAK. Ajo tha se ka vendosur të heshtë pasi beson se çështjet juridike duhet të kenë rrjedhën që i parashikon ligji.

Balluku tha se nuk ka pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe deklaroi se nuk e ka penguar kurrë drejtësinë. Përkundrazi ajo theksoi se nxit prokurorinë që të hetojë për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën.

“Do desha të thosha shkurt për herë të parë disa fjalë për atë që ka ndodhur dhe atë që është thënë në muajt e fundit. Kam marrë vendim personal me vullnet të lirë që të hesht për një çështje juridike pasi besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në mediat sociale, as në banaqet mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj siç e parashikon ligji. Kam vendosur ndryshe nga shumë të tjerë të mos analizoj, të mos shaj, anatemoj dhe të jem konsistente, në qëndrimin tim sa i përket drejtësisë. Nëse do i ktheheni deklaratave të mia publike nuk do gjeni asnjë deklaratë të kundërshtojë tjetrën. Besoj që drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Drejtësia e re si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Edi Ramës dhe PS, si produkt i një Shqipërie europiane duhet të vazhdojë të jetë frymëzimi i këtij vendi pasi u krye për t’i kthyer besimin qytetarëve te një drejtësi e drejtë dhe e pavarur.

Nuk do më dëgjoni kurrë as ta lëvdoj kur godet kundërshtarët e mi politikë, as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë. Nuk do më dëgjoni të përmend prokurorë e gjyqtarë dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, nga gjysmë të vërtetat, nga të pavërtetat apo gënjeshtrat. Nuk kam pasur kurrë lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh dhe që nuk e kam penguar kurrë as në pozicionin tim si ministre apo zv/kryeministre të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Nuk kam as 300, as 20 dhe as 3 apartamente. Nuk kam as jahte, as limuzina, as helikopterë as avionë.

Të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por për të thënë të drejtën unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam trajnuar dhe kalitur që e vogël. Unë di të bëj punën time. Secili ka mënyrën e tij, jam munduar të bëj më të mirën. Por as nuk e kam penguar drejtësinë dhe as nuk do ta pengoj kurrë drejtësinë tek e cila besoj dhe e kam mbështetur si një pjesë integrale e një Shqipërie europiane”, tha Balluku.

Dukshëm e emocionuar para stafit të saj, Balluku i bëri deklaratat gjatë prezantimit të ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

“Nuk më ndihmon t’ju shoh përballë me emocion, kështu që kjo skuadër ka një fat të madh sot pasi në krahun tim, është ulur një prej jush dhe do desha të thoja dy fjalë përsa i përket ngritjes së kapaciteteve njerëzore”, tha Balluku.

Sa i përket ministrit të ri, ajo tha se ai është rritur në këtë ministri dhe është “provë e gjallë” e zhvillimit të aseteve të administratës publike.

“Enea nuk është as shoku im, as e kam sjellë unë, por e kam gjetur këtu dhe unë them se Enea duhet të jetë një frymëzim për secilin prej jush pasi tek Enea çdo burrë e çdo grua i ulur në këto karrige duhet të shikojë progresin e vetes së tij”.


Balluku i lë stafetën Karakaçit, numëron arritjet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë

Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i lë stafetën pasardhësit të saj në këtë post qeveritar, Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së saj, Balluku bëri përmbledhjen e gjithë punëve të arritura në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë gjithë periudhës që ky dikaster ka qenë në drejtimin e saj.

“Më vjen keq është ndikuar qetësia juaj personale, e familjarëve tuaj dhe padyshim më vjen keq për ditët e muajt e humbur për proceset e rëndësishme që duhen çuar përpara. Detyra që Enea ka, është që me ju në krah, me një skuadër të jashtëzakonshme që kjo ministri ka, unë mendoj se ju do ta kapërceni do e kapërceni të gjithë këtë situatë, duke më lënë që të vazhdoj rrugëtimin tim politik dhe personal për të nxjerrë një të drejtë dhe një të vërtetë në dritë.

Kemi transformuar së bashku sektorin energjetik. Çdo ditë vetëm lajme të mira vijnë nga ai sektor. Një grusht njerëzish kanë arritur që të ndryshojnë katërçipërisht atë sektorin. Kemi arritur që të rritim ndjeshëm kapacitetet tona. Kemi arritur që të ngremë bursën e parë energjetike. Kemi arritur që të edukojmë qytetarët me efiçencën energjetike, i kemi bërë pjesë të politikave tona. Kemi kapërcyer situata të jashtëzakonshme të sigurisë energjetike si ajo e vitit 2002, e kemi kapërcyer dhe për herë të parë kemi ulur çmimin e energjisë elektrik.

Kemi krijuar një bazë të rëndësishme autoprodhuesish. Dhe jo është bërë falë jush. Kemi ndërtuar vepra të jashtëzakonshme, të cilat do të qëndrojnë aty dhe vitet do të kalojnë dhe ne do të jemi krenarë për atë që kemi arritur. Kemi ndërtuar rrugë e autostrada moderne, të të njëjta kategorive dhe cilësive europiane, kemi ndërtuar tunele që nuk do i shkatërrojë as pika e ujit që tashmë zë vend të gjitha portalet ku shiu fillon të bjerë. Asgjë nuk do të fshijë punën tuaj dhe atë që keni bërë deri më sot”, tha Balluku.


Balluku falenderon Ramën: Jam munduar të ndjek shembullin e tij

Në daljen e saj të fundit si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nuk përmbajti emocionet gjatë fjalimit të saj, teksa prezantoi ministrin e ri, Enea Karakaçi.

Gjatë fjalës së saj, Balluku falenderoi kryeministrin e vendit, Edi Rama. Teksa shtoi se gjatë gjithë punës dhe karrierës së saj në politikë është munduar që të ndjekë shembullin e tij.

“Dua të përfitoj nga rasti që të falenderoj kryeministrin Rama për gjithë besimin që më ka dhënë në këto vite, por mbi të gjitha për shembullin që ka dhënë gjithë këto vite. Të ndjekim shembullin, se si punohet me ty, se si ti u jep besim dhe atë besim ta kthejnë në rezultate.

Jam munduar të ndjek shembullin e tij me ju. Dhe me thënë të drejtën është shkolla më e mirë, ku kanë dalë drejtues të aftë, politikë që sakrifikojnë pa asnjë lloj dyshimi për të mirën e madhe. Unë do desha që të mos thoja më tepër për Enean sepse ju e njihni më shumë se unë. I ka prekur të gjitha nivelet e drejtimit, derisa shkoi në ndërmarrjen më të madhe, OSHEE”, u shpreh Balluku.


E emocionuar dhe e përlotur, Balluku i jep porosinë e fundit stafit

Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shfaq e emocionuar dhe e përlotur në takimin e fundit me stafin e saj këtë të hënë, 6 mars.

Ajo i dorëzoi detyrën ministrit të ri, Enea Karakaçi, i cili siç theksoi ajo, e nisi karrierën e tij në këtë dikaster duke shërbyer si provë e aseteve që mban administrata publike.

Balluku e përmbylli rrugëtimin e saj me një porosi për stafin pasi shprehu të gjithë mirënjohjen për ta.

“Ashtu siç ju thashë rrugëtimit tonë të përbashkët këtu i vjen fundi, por jo vullnetit tonë të përbashkët për të punuar për vendin. Mbani mend diçka. Populli është padyshim më i mençuri nga të gjithë dhe thotë që gjuha kocka nuk ka, por thyen kocka. Populli thotë që fjalët lënë plagë dhe shenja, por populli thotë që fjalët i merr era në fund fare. Ato çka era nuk merr janë veprat, janë punët, janë ajo çka ju lini pas si trashëgimi nga pozicioni që ju mbani. Fjalët do i marrë gjithmonë era, ndërkohë që vepra dhe punët do ngelen aty. Ju jam mirënjohëse për të gjithë këtë rrugëtim që kemi bërë bashkë, ju falenderoj”, tha Balluku.


Karakaçi merr detyrën: I qartë për vizionin që duhet në MIE

Enea Karakaçi mori zyrtarisht sot detyrën si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Stafetën ia dorëzoi ish-ministrja Belinda Balluku, e cila e vlerësoi Karakaçin si një aset të administratës publike.

Karakaçi shprehu nderim që u prezantua nga Balluku duke theksuar se ka qenë privilegj të bashkëpunonte me të.

“Një falenderim për kryeministrin Edi Rama që më ka besuar, grupin e PS që më ka votuar dje dhe një falenderim i veçantë për ju zonja zv/kryeministre për rrugëtimin që kemi bërë bashkë, dhe ka qenë një nder e privilegj i veçantë që të bashkëpunoj me ju. Faleminderit dhe suksese të gjithëve”, tha ai.

Karakaçi tregoi se është shumë i qartë për vizionin që kërkohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shprehu bindjen që ky dikaster do t’i çojë para sfidat e veta.

“Në këtë ministri kam hyrë për herë të parë si specialist në 2011. Kam bërë rrugëtimin tim, si shef sektori, drejtor dhe drejtor i përgjithshëm dhe së fundmi si administrator i OSHEE. Jam shumë i qartë sa i përket vizionit, qasjes, objektiva dhe çfarë kërkohet nga kryeministri dhe qytetarët për MIE. Jam i bindur që me bashkëpunimin tuaj do ia dalim të çojmë para sfidat, të arrijmë atë çfarë qytetarët kërkojnë nga ana jonë dhe të përmbushim detyrat në cilësinë e duhur”, tha ministri i ri.

/tvklan.al