Ministrat e rinj të qeverisë “Rama 4” u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht postet. Ndryshimet në qeveri u miratuan një ditë më parë në Kuvend me votat e vetë socialistëve.

Cilat janë ndryshimet në qeveri?

Albana Koçiu emërohet zv/kryeministre (Zëvendëson Belinda Ballukun)

Ferit Hoxha emërohet ministër për Europën dhe Punët e Jashtme (Zëvendëson Elisa Spiropalin)

Toni Gogu emërohet ministër i Drejtësisë (zëvendëson Besfort Lamallarin)

Besfort Lamallari emërohet Ministër i Brendshëm (zëvendëson Albana Koçiun)

Ermal Nufi emërohet ministër i Mbrojtjes (zëvendëson Pirro Vengun)

Enea Karakaçi emërohet ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë (zëvendëson Belinda Ballukun)

Erjona Ismaili emërohet ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin (zëvendëson Toni Gogun)

Kujtojmë se një ditë më parë, Kuvendi miratoi shkarkimet e ish-ministrave. Belinda Balluku u shkarkua me 85 vota pro nga posti i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Elisa Spiropali nga posti i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro. Dekreti për shkarkimin e Pirro Vengut si Ministër i Mbrojtjes u miratua me 81 vota.

Këto ndryshime në qeveri ndodhën pas mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe ministrave të qeverisë më 26 shkurt. Kryeministri Edi Rama i ka konsideruar këto lëvizje si një qasje të re dhe të paralajmëruara më parë. Megjithatë ai u shpreh se nëse rrethanat do të kishin qenë ndryshe nuk do të kishte hequr ish-zv/kryeministren Belinda Balluku sepse sipas tij ka pasur rezultate të jashtëzakonshme në punë.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk gjeti shumicën e nevojshme për të pranuar kërkesën e kryeministrit sipas të cilit vendimi i GJKKO-së për të pezulluar Ballukun kishte cënuar ndarjen e pushteteve. Trupa e tetë gjyqtarëve u nda në dy qëndrime. Katër prej tyre mbështetën logjikën e qeverisë se pezullimi i një anëtari të kabinetit kërkon ndërmjetësimin e kuvendit. Ky qëndrim nuk u mbështet nga katër gjyqtarë të tjerë, sipas të cilëve, imuniteti kushtetues nuk ofron mbrojtje nga masa e pezullimit të detyrës, dhe kjo masë i drejtohet individit, jo institucionit. Ata theksuan se zgjerimi i imunitetit përtej rasteve të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë cenon barazinë para ligjit.

/tvklan.al