Në raport, Shqipëria përfshihet në listën e vendeve në fazat e para të implementimit të inteligjencës artificiale, duke mos sjellë ndryshime të dukshme në tregun e punës. Por, sipas ekspertëve të punësimit, disa profesione po marrin tashmë përfitime nga kjo teknologji.

“Inteligjenca e integruar është në hapat e parë. Lehtësim të procedurave të punonjësve të zyrave. Mendoj se ekonomistët mund të ndihmohen nga inteligjenca artificiale, redaktorët, juristët, por gjithmonë duke e përdorur jo si zëvendësues, por si element integrues”, pohoi Arbër Xhihani, ekspert punësimi.

Megjithëse ndikimi i inteligjencës artificiale në profesione po zgjerohet, bizneset në Shqipëri dhe rajon mbeten ende pas në përdorimin e saj.

“Në Shqipëri sektorët më të zhvilluar janë turizmi dhe bujqësia dhe në këta sektorë është shumë i vështirë integrimi i inteligjencës artificiale. Sektorë si turizmi dhe bujqësia, fasonët kërkojnë praninë fizike të krahut të punës”, u shpreh Xhihani.

Për të rritur mundësitë e integrimit të inteligjencës artificiale në sektorët e ekonomisë, ekspertët theksojnë nevojën e politikave mbështetëse financiare ndaj biznesit për të rritur investimet. Pasi, siç vëren Banka Botërore, rreziku kryesor gjatë dekadës së ardhshme është përshtatja e pamjaftueshme e inteligjencës artificiale dhe jo përdorimi i saj i tepruar.

/tvklan.al