Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Banka e Kursimeve do të nisë kreditimin në Maj të vitit të ardhshëm. Deklarata bëhet nga drejtori aktual i Bankës së Kursimeve Ardian Kamberi.

Ardian Kamberi:- “Unë mendoj që për një periudhë dy-tre mujore, duhet të jetë edhe një fazë parapërgatitore e tyre, për të startuar me kredinë, që në atë diskutim që kemi pasur, apo në atë plan-biznes që ne parashikuam, kjo ka të bëjë me kredinë për ndërmarrjet, për kompanitë, për individin, por ka të bëjë edhe me produkte siç është për shembull edhe karta e kreditit është një produkt më vete, që do shoqërohet edhe me një futje masive të këtyre elementëve të ATM-ve, të shërbimit elektronik. Unë mendoj që impaktet e para pozitive mund të jenë nga Maji, nga Qershorit, që të jenë edhe të prekshme për qytetarët”.

Sipas Kamberit, privatizimi i Bankës së Kursimeve do të sjellë ndikimet e saj edhe në tregun bankar.

Ardian Kamberi:- “Unë parashikoj që edhe transaksionet në banka do të rriten shumë shpejt. Ajo që unë jam i sigurt është që tregu do të vendosi realisht interesat, të cilat do të jenë ato që kërkon ekonomia jonë”.

Kamberi pritet të konfirmohet në krye të Bankës së Kursimeve, e cila iu shit në 100% të aksioneve javën e fundit bankës austriake Raiffeisen Bank./tvklan.al