Sekretari i Përgjithshëm i PD reagon pas deklaratave të Kryeministrit në “Opinion”

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. Nuk m’i përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit kë kam mik dhe kë s’kam mik unë. Edhe në burg të shkojë të nesërmen, do të jetë miku im. Por me Vangjush Dakon as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo deklaratë e Kryeministrit Edi Rama, e bërë të enjten në studion e “Opinion”, për Gazment Bardhin tregon frikën e kreut të qeverisë,”se mos anëtarët e bandës pendohen dhe i hanë kokën shefit”.

Në një reagim në rrjetet sociale Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, thotë se “këmbëngulje e Edi Ramës për të mbrojtur Vangjush Dakon nuk është vetëm arrogancë. Është frikë! Është frika e kreut të bandës, se mos anëtarët e bandës pendohen dhe për të shpëtuar nga burgu, i hanë kokën shefit!”.

“Para frikës së humbjes së pushtetit kriminal dhe pasurimit të paligjshëm, para frikës së drejtësisë, Edi Rama hedh në kosh edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, që ka shpallur non grata mikun e tij Vangjush Dako, me të cilin ai mban pushtetin në qarkun e Durrësit. Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Anija e tij po mbytet!”, e mbyll reagimin e tij Bardhi./tvklan.al