“Qytetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit, duhet ndryshim”

Lulzim Basha u shfaq përpara mediave duke bërë llogarinë e darkës së ministrave të qeverisë në Dubai. Fatura e paguar në një prej  restoranteve më të shtrenjta të Emirateve Arabe, sipas Lulzim Bashës është tejet e majme, ndërkohë që shqiptarët tha ai janë lënë nga qeveria në mëshirë të fatit.

“1000 dollarë bifteku! 1000 dollarë bifteku! Ndërkohë që njerëzit po shtyhen drejt krizës ekonomike më të thellë të këtyre 30 viteve. Ata nuk kanë turp. Edi Rama nuk ka turp. Nuk ju intereson qytetari, nuk e kanë në listë qytetarin dhe kjo është arsyeja se pse shqiptarët edhe pas tërmetit, edhe gjatë pandemisë, edhe gjatë përmbytjes janë lënë në mëshirë të fatit, janë braktisur ndërsa qeveritarët e tyre darkojnë me fatura të kripura 1000 dollarë bifteku”.

Ky qëndrim i opozitës u hodh poshtë pak ditë më parë nga Kryeministri Rama, i cili tha se ajo ishte një darkë pune dhe se shpenzimet ishin paguar nga pala pritëse, pasi sipas tij, ministrat e qeverisë ndodheshin në Dubai për të sjellë investime në Shqipëri.

Ndryshe nga kreu i qeverisë, Basha thotë se raportet faktojnë të kundërtën për ministrat e kabinetit të Ramës, që në 7 vite qeverisje kanë trefishuar pasurinë e tyre. Për kryedemokratin drejtësia duhet të thotë fjalën e saj për të gjithë ata qeveritarë që kanë abuzuar me pushtetin dhe paratë e shqiptarëve.

Tv Klan