Një tjetër dëshmi që hedh dritë mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha është dëgjuar sot në gjykatën e krimeve të rënda. Bazri Hyka,fqinji dhe njëkohësisht miku i biznesmenit ka dëshmuar para trupit gjykues se gjatë kohës kur jetonin në Ferizaj të Kosovës, Remzi Hoxha është thirrur disa herë nga organet shtetërore të Serbisë të cilat e kërcënonin me jetë që të largohej nga vendi.

Remzi Hyka: “Thirret nga organet disa herë dhe i bëhen shantazhe nga më të ndryshmet në mënyrë kërcënuese për të. … do ta … familjen do, do ti gjuajnë bomba në shtëpi, do t’ia ndezin shtëpinë e kështu me radhë.”

Më pas dëshmitë kanë vazhduar dhe me ish-kryetarin e partisë Socialiste të Sarandës Astrit Llanaj i cili foli për takimin që kishte pasur me Ziso Kristopullin pas daljes nga Baza e Shik-ut në Vain të Lezhës. Ish kryetari i PS-së Llanaj pohoi para trupit gjykues se mbi Kristopullin kishte shenja dhune./tvklan.al