Bashkimi Europian planifikon të ndëshkojë ashpër Bullgarinë, sipas agjencisë britanike të lajmeve BBC, vlera e këtij ndëshkimi do të jetë rreth 1 miliard dollarë financime të cilat do të bllokohen. Vendimi vjen si pasojë e nivelit të ulët të luftës kundër korrupsionit e treguar nga ana e administratës bullgare.

Komisioni Europian me anë të një raporti, i cili pritet të publikohet javën e ardhshme, pritet t’i kërkojë shtetit bullgar reforma të thella në administratë për të luftuar kundër zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve. Sipas Komisionit Europian, ky do të jetë dhe kushti që do të mundë të zhbllokojë financimet e Bashkimit Europian.

Aktualisht BE ka ngrirë qindra milionë dollarë financime që ishin akorduar për infrastrukturën dhe bujqësinë në Bullgari. Ndërsa miliarda fonde të tjera nuk dihet nëse do të përfundojnë ndonjëherë në duart e këtij vendi.

Por Bullgaria rrezikon dhe përfshirjen në zonën Shengen duke dobësuar seriozisht pozitat e saj si anëtare e Bashkimit Europian që prej 1 janarit 2007 ditës kur Bullgaria dhe Rumania u anëtarësuan në bllokun Evropian, 2 vendet u janë nënshtruar një vëzhgimi të rreptë në procesin e reformave të cilat, mesa duket nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Zyrtarët e Bashkimit Europian thonë se masat e planifikuara duhet të shërbejnë si paralajmërim për vende të tjera qofshin ato anëtare të Bashkimit Evropian apo vende që shpresojnë t’i bashkohen bllokut./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj