Papa Françesku priti këtë të hënë në një audiencë të veçantë presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Kreu i shtetit dhe delegacioni shqiptar në këtë takim shoqërohej nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.

Takimi i Begajt me Atin e Shenjtë zgjati 30 minuta dhe në të cilin u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet pozitive dypalëshe mes Shqipërisë dhe Vatikanit, si dhe u diskutua dhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Begaj konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si i vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Presidenti gjithashtu u prit në një takim edhe nga Sekretari i Shtetit, Kardinal Parolini. Kreu i Shtetit theksoi vijimësinë e angazhimit të tij për thellimin e bashkëpunimit duke iu referuar edhe lidhjes të Selisë së Shenjtë me Kishën katolike shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Kjo është hera e dytë që Presidenti pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.

Tv Klan