Në 26 vjetorin e rënies në luftën e Kosovës, Kreu i shtetit Bajram Begaj vlerësoi sakrificën e 28-vjeçarit nga Kavaja, Indrit Cara, teksa vendosi një kurorë në shtatoren e “Ushtar Kavajës”. Në fjalën e tij, e cilësoi një shembull guximi dhe frymëzimi.
“Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar”, u shpreh Bajram Begaj.
Presidenti i Republikës theksoi se përkujtimi i Indrit Carës shërben për të gjithë si kujtesë për angazhimin e përhershëm për të mos e lënë të shuhet ëndrrën për të cilën ai dha jetën.
“Sakrifica e tij shërben si një busullë për të ardhmen tonë, për një komb të bashkuar, për një Kosovë që ecën përpara, e lirë dhe krenare”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit kujtoi me nderim edhe figurat që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës: Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Adem Jasharin, si dhe nënvizoi përgjegjësinë për bashkëpunim jo vetëm të politikës, por të çdo qytetari për të ruajtur dhe pasuar amanetin e të parëve.
Klan News