Pas 13 vitesh me përfaqësuesen e Zvicrës dhe një paraqitje të shkëlqyer në botërorin e Rusisë, Valon Berhami nuk do të jetë më pjesë e kombëtares helvete. Lajmi e dha vetë mesfushori me prejardhje shqiptare në një postim në Twitter. Vendimi ka qenë i trajnerit Petkoviç. Një zgjedhje që siç pohoi Berhami në një intervistë televizive ka prapavijë politike.

Valon Behrami, ish-futbollist i Zvicrës : 

Kjo është një zgjedhje politike, trajneri mund të thotë çfarë të dojë, por është e qartë se është një zgjedhje politike, e marrë nga dikush që nuk merr vesh nga futbolli, që nuk kanë luajtur asnjëherë dhe që duan të mbajnë postin e tyre. Më telefonoi për vetëm 30 sekonda. Mendova se ishte për mirësjellje, por më dëboi. Do të doja të ma komunikonte duke më takuar.

Por Vladimir Petkoviç tha për mediat zvicerane se largimi prej tij i disa futbollistëve është thjeshtë një zgjedhje e karakterit sportiv. Nga përfaqësuesja e Zvicrës pritet të ketë edhe largime të tjera sipas asaj që shkruhet nga mediat zvicerane mes tyre përmendet edhe Blerim Xhemaili.

I pari që reagoi për largimin e Berhamit ishte Granit Xhaka që falenderoi shokët e ekipit për atë që dhanë për kombëtaren. Ky vendim vjen pas polemikave që shpërthyen në botëror për shkak të festimit me shqiponjë në lojtarëve me prejardhje shqiptare në ndeshjen me Serbinë. sekretari i Federatës Zvicerane të Futbollit, Alex Miescher kërkoi që të shihet çështja e dyshtetësisë për futbollistët e kombëtares.

Tv Klan