Tiranë – Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit për rreth 20 minuta në ambientet e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion këtë të premte, 31 korrik. Bashkë me të, edhe avokati i saj, Ardian Kalija.
Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, ka gjasa që Ballukut t’i jenë komunikuar akuza të reja, ndërsa afatet e hetimet ndaj saj janë zgjatur me të paktën 3 muaj, deri në datën 20 tetor.
“Duke marrë parasysh faktin që ka zgjedhur të vijë vetë në SPAK, thuhet se mund t’i komunikohet akuza e shkeljes së barazisë në tendera për lotin 3 dhe 4 të Unazës së Madhe”, raportoi më herët Daci. Megjithatë, pritet një njoftim zyrtar më i detajuar nga ana e SPAK, ndërsa Balluku nuk dha asnjë prononcim për mediet.
Deri më tani, Balluku ishte zyrtarisht e pandehur për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
Po sipas asaj që bën me dije gazetarja Daci, gjatë takimit të djeshëm me gazetarët, kreu i SPAK-ut, Klodian Braho e cilësoi çështjen si prioritare. Për hetimet, janë angazhuar dy prokurorë dhe 9 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Gjatë së enjtes, ka pasur edhe disa urdhra-kontrolli…
SPAK: Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën
Mbi këtë zhvillim ka reaguar edhe SPAK, i cili sqaron se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është thirrur për t’u njohur me akuzën që lidhet me disa procedura prokurimi.
“Në përgjigje të kërkesave tuaja, Znj.Belinda Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”, thuhet në reagimin e SPAK.
/tvklan.al












Botërori 2026 
