16 mijë vizitorë vetëm në Korrik

Qyteti i Beratit, i shpallur qytet muze në vitin 1961 nga qeveria shqiptare, iu shtua listës së trashëgimisë kulturore UNESCO në vitin 2008, si një qendër e rëndësishme historike më një diversitet arkitekturor.

Tani, qyteti i “Një mbi një dritareve” është shndërruar në një qendër turistike. Pret vizitorë në 12 muajt e vitit. Ka turistë që vijnë për herë të parë dhe të tjerë që janë rikthyer. Vetëm në Korrik janë regjistruar mbi 16 mijë vizitorë.

Turistja rumune: Është hera e dytë që vij me familjen në Shqipëri. Po bëjmë disa ditë plazh në Shqipëri dhe vendosëm që të vizitonim edhe Beratin pasi lexuam për 1 mijë e një dritaret , dhe që i pamë në të dy krahët të hyrjes së qytetit . Ndërtimi kalasë dhe kishës janë shumë interesantë. Ne kemi në Rumani kala dhe kisha, por këto janë shumë interesante.

Turisti spanjoll: Është hera e parë që vij në Shqipëri . Jam impresionuar me këtë vend dhe dua të vij dhe njëherë tjetër. Natyra është e mrekullueshme.

Turistja italiane: Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Kemi parë Tiranën dhe na pëlqeu shumë, ushqimi, kultura shumë e mirë. Do kthehemi në shtëpi dhe do të flasim shumë mirë për këtë vend. Berati qenka me të vërtetë një zbulim, edhe pse kemi lexuar shumë për të, por në çdo rrugë që shkelim zbulojmë diçka të re dhe po na pëlqen  shumë. Ia vlen të vish, sepse është një thesar i vogël që do zbuloni.

“Unë jam nga Barcelona. Pamë fshatin poshtë lumit dhe ishte piktoresk…”

“Unë jam nga Franca. Berati qenka shumë i bukur, një qytet tipik, me ndërtesa të vjetra dhe historike”.

Lagjja Mangalem dhe kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.

Ura e Goricës, e shpallur monument kulture, është një nga më të vjetrat në vend. Ajo u ndërtua në shekullin e 18 me drurë dhe u kthye në një urë guri në vitin 1870, në kohen e Ahmet Kurt Pashës, që drejtonte pashallëkun e Beratit.

E rindërtuar në vitin 1920, me 7 harqet dhe 129 metrat e gjatësisë, është një prej vendeve më të vizituara.

Dy lagjet e vjetra, kalaja dhe Mangalemi, me shtëpi të ndërtuara prej guri dhe dritare të punuara me dru, ndahen në zemër të qytetit.

Klejda Kusta, Drejtore e Zhvillimit Strategjik dhe Integrimit Europian: Jemi në zemër të qytetit të Beratit, ndërmjet lagjes Goricë dhe asaj kala dhe Mangalamit të bukur që është perla e qytetit tonë.

Në mjaft pjesë të tyre, koha duket sikur ka ndaluar. 

Kishat ato që datojnë të shekullit 12-18 janë gjithashtu një atraksion tepër i rëndësishëm për qytetin tonë. Një xhavahir tepër i rëndësishëm është edhe pjesa e artizanatit.

Kalaja është qershia mbi tortë. Është e banuar edhe sot dhe disa prej shtëpive janë shndërruar në bujtina.

Por që të arrish deri në Kalanë që ngrihet mbi qytet, në një lartësi shkëmbore prej 187 metrash, do të duhet të përshkosh një rrugë jo pa vështirësi.

Rruga është e amortizuar dhe një projekti për rikonstruksionin ka nisur të zbatohet. 

Klejda Kusta, Drejtore e Zhvillimit Strategjik dhe Integrimit Europian: Ajo që do ta ndihmojë edhe më tepër zhvillimin e  turizmit do të jetë përfundimi i rikonstruksionit të rrugës automobilistike që lidh qytetin me kalanë.

Kalaja në formë trekëndëshi, me 24 kulla e me dy porta, ishte dikur një pikë strategjike luftarake që i garantonte zonës siguri. Sot, bashkë me gjithë ansamblin e ndërtesave të vjetra të qytetit 2400 vjeçar, ajo është shndërruar në një qendër të zhvillimit të turizmit.

Tv Klan