Për Sali Berishën vendimi i SPAK-ut dhe GJKKO-së për caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” të Drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, shënon një ngjarje të paprecedentë në historinë e institucioneve të sigurisë në vend dhe një rast të rrallë në rrafshin ndërkombëtar, ku drejtuesja e këtij organi vihet në shërbim të krimit, duke ndarë sekretet e shtetit me bandat më të rrezikshme në vend.

“Kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, tha Berisha.

Kryedemokrati i bëri thirrje SPAK-ut që të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar ndaj Hysenit e cila ndodhet jashtë vendit për arsye pune.

“Kërkoj që SPAK-u urgjentisht të lëshojë mandat arresti ndërkombëtar për të, në mënyrë që ajo të bëhet përgjegjëse para ligjit në Shqipëri, vendi ku ka kryer krimet e shëmtuara”, tha Berisha.

Një thirrje Berisha pati edhe ndaj FBI-së dhe agjencitë ligjzbatuese të vendit në të cilin mendohet se ndodhet Hyseni.

“Thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës i bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate më të rrezikshmen në Europë por edhe si një anëtare grupi që ka bërë një kërcënim real të vërtetë për AleancËn e atlantikut të Veriut, këto i ka transferuar në drejtim të armiqve të NATO-s”, tha Berisha.

Ky skandal sipas Berishës dikton dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit.

Pas Ramës pa shigjetuar Berisha nuk la edhe Presidentin Bajram Begaj, i cili tha se duhet të kishte mbledhur me urgjencë këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Gjatë konferencës për shtyp Berisha komentoi edhe dy arrestimet e tjera, në kuadër të operacionit të SPAK-ut, mëngjesin e të martës.

Nisur nga kjo situatë, Berisha tha se Partia Demokratike do të rishqyrtojë tërësisht rrugën që do ndjekë në vijim, duke mos përjashtuar asnjë skenar.

/tvklan.al