Kryetari i PD-së Sali Berisha në deklaratë për mediat sot më 22 shtator komentoi edhe aksionin e SPAK, ku u kontrollua banesa e ish-kryepolicit Ilir Proda dhe u dha masë sigurie “arrest shtëpie” për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.

Berisha theksoi se Hyseni shiste informacionet e SHISH edhe tek figura të tjera të qeverisë, duke thënë se ky është skandal tepër i rëndë.

Për të, SHISH ka qenë nën kontrollin e Ergys Agasit. Tha se Hyseni e Agasi takoheshin për dreka në një lokal në mes të Tiranës.

“Vlora Hyseni ishte bashkëpunëtore në krim, ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e shërbimit ua ka dhënë kriminelëve. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës se ky.

Në vitin 2022, qytetari digjital më informon se Hyseni u largua nga detyra që mbante në Kosovë, sepse shiste informacione për Beogradin. Unë kam denoncuar një rast unik të papërgjegjshëm e kriminal të Edi Ramës. E kam thënë në 2022 se Vlora Hyseni ka kthyer SHISH-in në një vegël të Ramës, sepse informacionet më së pari kalonin nga kryeministri.

Rasti sot tregon më së qarti lidhjet e institucioneve shtetërore me krimin. Vlora Hyseni ishte një bashkëpunëtore e turpshme e Ergys Agasit dhe bandave të tjera. E kam denoncuar para jush e publikut se SHISH-in e kontrollonte Ergys Agasi. Ergys Agasi drekonte me Vlora Hysenin në një lokal pranë shtëpisë sime”, tha Berisha.

Shtoi se nëse Vlora Hyseni është me kryeministrin Rama në SHBA, atëherë FBI duhet ta arrestojë. Berisha i kërkoi Ramës që të japë dorëheqjen, pasi e akuzon si personin që ka dhënë urdhra për të gjithë personazhet problematikë të AKSHI-t.

Kryedemokrati theksoi se SPAK duhet të lëshojë urdhër-arrest ndërkombëtar për Vlora Hysenin.

“Nëse Vlora Hyseni ështe me Ramën në Shtetet e Bashkuara, i bëj thirrje FBI-së që ta arrestojë. Të gjithë këta persona që janë arrestuar kanë bërë çdo gjë, me urdhër të Edi Ramës. Për të gjitha këto, i kërkoj Edi Ramës dorëheqjen e menjëhershme.

I ftoj shqiptarët që të përballen me të gjithë forcën e tyre me këtë shtet kriminal, që nuk është shtet, por është një bandë kriminale. Të gjithë, Ergys Agasi, Ermal Beqiri kanë marrë urdhra nga ana e Ramës. I bëj thirrje SPAK-ut që të lëshojë urdhër-arrest ndërkombëtar”, deklaroi Berisha,.

Gjatë ditës së sotme, në kuadër të dosjes së AKSHI-t, SPAK ka kryer kontrolle në banesën e ish-kreut të Policisë së Shtetit Ilir Proda. Ky i fundit është ftuar edhe në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u pa teksa dilte, duke konsumuar një cigare.

Po për këtë rast, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtuesen e SHISH Vlora Hysenin. Ajo u pezullua nga detyra, teksa akuzohet për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit shtetëror”.

Në kuadër të hetimit, janë dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” edhe për shefin e laboratorit shkencor të policisë në Tiranë Fatjon Kalluci dhe pronarin e një biznesi në Durrës. Po ashtu, janë kryer kontrolle dhe në banesat e tyre.

Dyshohet se ata mund ta kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmanget arrestimit të policisë për një kohë të gjatë.