Jo vetëm që nuk heq dorë nga përballja me të në sallën e gjyqit për çështjen “Partizani” për kryeministrin Rama, i thirrur si dëshmitar në gjyq, por Sali Berisha e sfidoi sërish duke e ftuar në një debat televiziv.

Deklaratën kryedemokrati e bëri pasi la ambientet e SPAK-ut, ku ishte në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, nga ku e akuzoi kreun e qeverisë se së bashku me vartësit e tij kur drejtonte Bashkinë e Tiranës kanë hedhur 40 firma në dokumentat që ndryshonin destinacionin e terrenit nga klub sportiv në zonë urbanistike.

“Bëhu burrë edhe hajde në sallë të gjyqit. do jetë gjyqi i shekullit, përndryshe, në qoftë se nuk ta mban, urdhëro të zgjidhni studio televizive, jam gati në debat, dhe atëherë të konsideroj tërheqjen e kërkesës për të dëshmitar, përndryshe absolutisht jo do vijë si një delinkuent”.

Kryeministrin e paralajmëroi jo vetëm për protesta edhe më të fuqishme, por dhe një kallëzim në prokurori, që tha se Partia Demokratike do të depozitojë ndaj krerëve të policisë së shtetit, të cilit sipas tij përdorën mjete të ndaluara me ligj ndaj qytetarëve në tubimin e të premtes.

 “Protestat Lubi, Edi Rama, dosja Rama-Balluku nuk mbyllet kurrë, ne do të depozitojmë padi penale për Skënder Ballukun, një kriminel i damkosur, për Sokol Besëprerin, oficeri më i pabesë dhe dy banditë të tjerë të tyre që kryesuan operacionin kundër opozitës dhe protestës së saj paqësore”.

Pasditen e së hënës në Foltoren e përvajshme përpara Kryeministrisë, lideri demokrat tha se në protestën e së premtes pati një dhunë ndaj opozitarëve, duke dhënë një paralajmerim, nëse ajo do të përsëritet.

“Protestën e ardhshme përgjigja jonë në kryengritjen tonë paqësore do të jetë proporcionale, banditë dëgjojeni, me dhunën e pajustifikuar që na u bë. Përgjigja jonë do jetë proporcionale me një kryeministër, kryetar të një organizate banditësh që urdhëron helmimin e popullit të tij vetëm e vetëm se ata kërkojnë të drejtat e tyre”.

Tv Klan

/tvklan.al