Në mungesë të një përgjigjeje nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Sali Berisha akuzoi Ilirjan Celibashin se po hesht lidhur me zhdukjen, sipas tij, të 350 kutive të votimit të materialeve zgjedhore, për të cilat selia blu ka kërkuar informacion zyrtar pranë KQZ-së.

“A janë marrë 350 kuti votimi më 12 apo më 13 prill të vitit 2025 nga magazinat e KQZ-së në Farkë? Së dyti. A ka firmosur ai dorëzimin e personave të caktuar të 350 kutive të votimit? Së treti. A ka dijeni ai për marrjen e tyre pa asnjë dokument? Për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe dërgimin e tyre në një lokacion të administruar nga një ish-deputet socialist. Dhe e fundit. I kërkoj zotit Celibashi të dorëzojë menjëherë kamerat e magazinave të materialeve të votimit sipas kërkesës së përfaqësuesve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në KQZ.”

Jo vetëm që nuk ka ndërmend ta njohë rezultatin e 11 majit, por thotë se pas dokumentimit të asaj që e cilëson farsë, do nisë betejën në sheshe me qytetarët.

“Pastaj fjalën do e marrë populli opozitar dhe demokratët.”

Nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga kryetar i partisë, por thotë se nuk do t’i shmanget analizës për humbjen në zgjedhjet e 11 majit.

“Statuti është në rregull, nuk ka nevojë për momentin për ndonjë ndryshim. Por sigurisht PD do bëjë analizë të plotë të të gjitha problemeve, që të modernizohet dhe hapet gjithnjë më shumë.”

Berisha u ndal edhe te projekti për hidrocentralin e Skavicës, që sipas tij u dënua me forcën më të madhe nga raporti i Komisionit Europian si aferë korruptive.

Tv Klan

/tvklan.al