Sali Berisha, në emër të Partisë Demokratike, dënoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve para Kuvendit, duke e cilësuar atë akt dhune të urdhëruar politikisht nga Kryeministri Rama.

“Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh skenat e dhunës shtazarake të urdhëruara nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin. Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, përdori spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen, përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur”.

Kryedemokrati tha se me veprimet e ndërmarra ndaj protestuesve paqësorë, Kryeministri është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ruajtur karrigen e tij dhe të ministrave.

“Partia Demokratike deklaron se me këto akte, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale shpërfaqin para shqiptarëve moralin dhe fytyrën e tyre kriminale të vërtetë. Dëshmuan se janë të aftë dhe të gatshëm të ndërmarrin çdo krim dhe çdo akt për të mbrojtur karrigen e tyre”.

Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve që, sipas tij, u tubuan paqësisht para godinës së parlamentit në mbrojtje të kauzës së tyre për largimin e qeverisë.

“Me dhjetëra e dhjetëra protestues u morën forcërisht dhe me dhunë për t’u transferuar në qelitë e komisariateve. Edhe një herë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të të gjithë të ndaluarve, protestues paqësorë që po protestonin në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

Teksa dënoi me forcë dhunën e egër që tha se u ushtrua ndaj qytetarëve, Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin lëvizjen rinore më të fuqishme që ka njohur vendi që nga vitet ’90.

Tv Klan

/tvklan.al