Informacion i ri: 3 protestues dhe 15 policë u trajtuan në spital
Në urgjencën e spitalit të Traumës, gjatë ditës së sotme, 2 korrik, morën trajtim mjekësor 14 efektivë policie dhe 2 protestues. 4 prej efektivëve po vazhdojnë të trajtohen. Pjesa tjetër janë larguar pasi kanë marrë shërbimin. Në QSUT u trajtuan 1 efektiv policie dhe 2 protestues. Të gjithë kanë lënë ambientet spitalore…
Ka shkuar në 23 numri i të arrestuarve, ndërkohë që protestuesit nuk kanë ‘kursyer’ as një urban që po kalonte pranë komisariatit nr.4., duke e gjuajtur me vezë…
Duket se situata e tensionuar është zhvendosur te ambientet e komisariatit nr.1 në kryeqytet.
Nga aty, raportoi gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, i cili ditën e sotme, 2 korrik, na ka njohur me çdo zhvillim…
Mund të dëgjohen ende thirrjet: “Shqipëria kërkon revolucion” apo “Dorëzoni mandatet”, ndërsa pritet që shumë prej protestuesve pasi t’ju merren deklarimet, të procedohen në gjendje të lirë.
Shpërndahen protestuesit, shkurtimisht gjithçka ndodhi
Siç pritej, nuk zgjati as 2 orë seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, pasuar me përplasje të forta jashtë ambienteve të godinës, mes protestuesve dhe policisë. Zhurmë, rreth 18 të arrestuar, efektivë e protestues që kanë përfunduar në spital, disa te Trauma e të tjerë te QSUT-ja.
Fillimisht, ligjvënësit hasën vështirësi në daljen me automjetet e tyre nga hyrja kryesore e Parlamentit. Më pas, me ndërhyrjen e Policisë, e cila hodhi ujë dhe gaz lotsjellës në drejtim të turmës, ata u larguan. Njëjtë si herën e fundit, protestuesit gjuajtën me vezë e sende të tjera në drejtim të tyre… U dëmtua edhe një makinë policie!
Duhet nënvizuar se kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi se çdokush që ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit, do të përballet me forcën e saj. Po ashtu, ripërsëriti bindjen se PS vazhdon e palëkundur me punën e saj dhe se asnjë forcë e huaj nuk mund të prishë ekuilibrat në Shqipëri.
Situata është qetësuar disi, ndërsa efektivët e Policisë vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri. Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, janë diku te rreth 15 të shoqëruar deri më tani.
Efektivët i vendosin prangat disa personave, protestuesit i qëllojnë me shishe uji e sende të tjera
Policia ka shoqëruar disa protestues në pjesën e jashtme të Parlamentit. Të tjerë qytetarë kanë qëlluar me shishe e sende të tjera drejt policisë në momentin e prangosjes së njërit prej tyre. Për t’i larguar, në drejtim të protestuesve, është hedhur gaz lotsjellës.
Ka agravuar situata në afërsi të ambienteve të Parlamentit. Pas tensioneve me Policinë, protestuesit kanë goditur me mjete të forta një automjet të Policisë, siç mund ta shihni në pamjet e mëposhtme:
Raportimet e fundit
Kanë mundur të largohen nga ambientet e Parlamentit disa nga ligjvënësit, ndërkohë që protestuesit po tërheqin zvarrë kangjellat metalike… Është bërë i mundur arrestimi i avokatit të njohur Altin Goxhaj.
Protestuesit po zhvendosen, ndërsa Policia po hedh ujë në drejtim të tyre për të shpërndarë turmën. Po përdoret edhe spraj djegës… Pati përpjekje për të çarë kordonin policor, pasi protestuesit duan të futen në ambientet e brendshme të Parlamentit.
Lamallari te Trauma: Sulm ndaj shtetit, vandalët që goditën efektivët janë identifikuar
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka shkruar në Spitalin e Traumës për të vizituar efektivët që mbetën të lënduar nga përplasjet sot përpara Parlamentit gjatë protestave.
Për mediat, Lamallari tha se personat që kanë hedhur gurë e sende të tjera drejt Policisë së Shtetit janë identifikuar dhe se do të japin llogari përpara drejtësisë.
“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.
Ministri i Brendshëm ka bërë gjithashtu dhe një reagim në rrjete sociale teksa dënoi dhunën e ushtruar drejt efektivëve të policisë, duke e cilësuar si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit”, tha Lamallari.












Botërori 2026 