Ndonëse emrin e drejtueses së re të Shërbimit Informativ tha se e kishte dëgjuar tre ditë më parë, për Sali Berishën angazhimet që Esmeralda Hasani ka patur në kryeministri dhe emërimi i saj nga Edi Rama e bëjnë atë të besueshme aq sa paraardhësja e saj Vlora Hyseni në krye të inteligjencës shqiptare.

“Një gjë është e sigurt që ajo, kur emërohet nga Edi Rama, është Vlora bis. Nuk mund të jetë ndryshe vetëm simotër e Vlorës”, tha Berisha.

Deklaratën kreu i demokratëve e bëri jashtë ambienteve të SPAK ku paralajmëroi se do të ngrejë padi penale ndaj ish-kreut të këtij organi Altin Dumani, Këshillit të Lartë Gjyqësor, atij të Prokurorisë dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë me argumentin se kanë shmangur përgjegjësinë për dokumentacionin e çështjes së gjyqtares Irena Gjoka, duke ia kaluar njëri-tjetrit përgjegjësinë për dosjen e KLGJ-së.

“Pas Irenës do të ngrihet padi penale ndaj tyre. Natyrisht Dumani e ka të garantuar. Kjo është praktikë pengmarrje. Dumani ose ka marrë para ose është peng i Gjokës për favoret që i ka bërë Gjoka, pra kemi të bëjmë me një kalbësirë, e cila do zbërthehet në përputhje me ligjin”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike dëshmoi në cilësinë e kallëzuesit në SPAK mbi hetimin ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për dyshimet se kjo e fundit nuk ka deklaruar një dënim në shtetin grek. Dëshmia e Berishës u mor pasi Gjykata e Posaçme ktheu pas kërkesën e SPAK për pushimin e hetimit ndaj saj. Por lideri i opozitës e konsideroi marrjen në pyetje të vonuar.

“Po si ka mundësi të pyetet kallëzuesi pasi gjykatësja shtron 20 pyetje, kërkon që të pyetet kallëzuesi dhe jep pyetjet se çfarë do pyetet dhe tani kallëzuesi thirret javën e fundit dhe njoftohet, meqenëse e shtruat ju, maksimumi katër ose pesë ditë më parë. Pra, e shihni ju se çfarë përfaqëson Irena”, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka miratuar një rregullore për rishkrimet e subjekteve të shkarkuar nga Vetingu, Berisha e cilësoi pjesëmarrjen e vëzhguesve të ONM-së në dhomat e këshillimit të gjyqtarëve kushtetues në kundërshti me ligjin themeltar të shtetit.

/tvklan.al