Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të enjte, më 12 nëntor, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është pyetur në cilësinë e kallëzuesit lidhur me kallëzimin penal të depozituar ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Në SPAK u paraqit edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili do të japë gjithashtu shpjegimet e tij për çështjen.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha deklaroi për mediat se ishte thirrur nga SPAK në zbatim të një urdhri të gjykatës, duke theksuar se bëhet fjalë për kallëzimin e parë që ka depozituar gjatë jetës së tij. Ai pretendoi se ndaj gjyqtares Gjoka ekzistojnë fakte për dëbime, falsifikime dhe dënim penal, të cilat, sipas tij, nuk janë pasqyruar në formularët e dekriminalizimit, vettingut dhe emërimit.
“Erdha me kërkesën e SPAK-ut, i cili bazuar në urdhrin e gjykatës së çështjes së Irena Gjokës, kallëzues i të cilës jam unë, kishte kërkuar të pyetem pasi nuk isha pyetur asnjëherë si kallëxues nga SPAK-u i partisë. Së pari deklaroj se në të gjithë jetën time, ky është kallëzimi i parë që unë kam bërë ndaj një personi. Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut.
Që përbën turpin e zyrtarit. Që përbën turpin e juristit. Turpin e gjykatësit.
Ndëshkimin e një njeriu që arriti t’u bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë të këtij vendi, të cilat u garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me 5 mbiemra. Po pse Irena përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit, të gjyqtarit e me radhë?
Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj. Ka të vërtetuara dy falsifikime. Ka të vërtetuar një dënim penal. Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës”, tha Berisha.
Berisha akuzoi gjithashtu institucionet e drejtësisë, përfshirë KLGJ-në, KLP-në dhe ILD-në, për mosveprim lidhur me rastin, duke paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi ligjore edhe për institucionet që, sipas tij, nuk kanë zbatuar detyrimet e tyre. Ai theksoi se kallëzimi nuk ka karakter personal, por synon ndëshkimin ligjor të gjyqtares.
“Pse Irena është turpi i turpeve? Sepse Irena arrin të bukosë në mënyrën më kriminale KLGJ-në, KLP-në, jo më këta Dumanër e Manekër, por të bukosë KLGJ-në, të bukosë ILD-në, të bukosë KLP-në, institucione të cilat me Kushtetutë janë të ngarkuara të garantojnë zbatimin e ligjit mbi sistemin e drejtësisë”, shtoi kreu i PD.
/tvklan.al












Botërori 2026 