Kryetari i PD, Sali Berisha këtë herë ka denoncuar një tjetër skemë manipuluese që sipas tij është përdorur në zgjedhjet e 11 majit.

Në Konferencën për mediat, kryedemokrati deklaron se përveç “trenit bullgar” në këto zgjedhje  ka pasur dhe zëvendësim të kutive të votimit nga patronazhistët e PS në Elbasan.

“Mungojnë vulat që vulosin komisionerët, mungon shiriti përmbledhës i votuesve gjeneruar nga pajisja PEI. Këto dy gjetje tregojnë se nuk është kutia në të cilën është votuar. Këto kuti nuk mund të pranohen si kutitë e vërteta të qendrave të votimit, por si kuti të ndërruara.”

Teksa përmend emrat e disa kandidatëve fitues të PS, lideri i demokratëve thotë se PS siguroi vota nëpërmjet legalizimeve dhe punësimeve të përkohshme.

“Është blerja e votës me prokurorimet publike me 500 milionë, është blerja e votës me punësimin e dhjetëra, mijëra punonjësve, blerja e votës duke firmosur mijëra e mijëra leje legalizimi apo leje të përkohshme.”

Pas denoncimeve, shprehet se PD nuk do e njoh rezultatin e zgjedhjeve pasi më 11 maj nuk është lejuar shprehja e lirë e vullnetit politik të qytetarëve.

“Ne kërkuam një komision hetimor parlamentar për këtë dhe do të kërkojmë mbështetje ndërkombëtare për të hetuar si këto shpenzime ashtu edhe baulet diplomatike, se kur udhëton kryeministri zakonisht udhëton me valixhet e tij, por nëse ka një seri të pafundme baulesh… atëherë aty thuhet se janë trafiqe ilegale monedhash, drogërash apo ku ta di unë, nuk mund të them pasi duhet hetimi.”

Kryetari i PD thotë se PS është ndihmuar edhe nga drejtësia duke mos ndëshkuar krimet elektorale, edhe pas denoncimeve të bëra nga demokratët.

Klan News

/tvklan.al