Sali Berisha foli disa herë brenda dhe jashtë sallës së seancave plenare, sigurisht kundër projektbuxhetit, paketës fiskale dhe vetë Edi Ramës edhe pse ky i fundit i ulur pas shpinës së tij e përcillte me batuta.
Gjithësesi Edi Rama ia ktheu reston Sali Berishës po ashtu dhe shumë prej deputetëve socialistë, lanë sallën sapo kryedemokrati rimori fjalën për të folur pas kryeministrit siç e parashikon rregullorja.
Por Berisha iu tregon shqiptarëve përse kjo është hera e fundit që Edi Rama prezantoi buxhetin përpara parlamentit.
“Ia mbathi! Të nderuar qytetarë dhe qytetare. Siç e patë vetë, ia mbathi. Ia mbathi me bisht ndër shalë. Ia mbathi sepse e di që kjo është hera e fundit që paraqet buxhet në këtë sallë. Ia mbathi si hajduti më i madh i kombit shqiptar në histori. Ia mbathi si një kufomë e pakallur, e cila është e pushtuar nga frika gjer në palcë dhe mosbesimi gjer në qiell. Ia mbathi se e kanë mbërthyer për fyti krimet që ka kryer”, tha Berisha.
Fjalë të parë të çdo fjalimi Sali Berisha ka narkoshtetin që siç thotë qeveria e Ramës ka ndërtuar në bashkëpunim me krimin e organizuar çka çoi në uljen e euros, goditjen e eksporteve dhe varfërimin e shqiptarëve.
“Si i thotë në telefon Suel Çela, Çopjes? Ju paguaj rrogë ministrave, thotë, dhe fjalën e ka për atë, se është në atë kohë. U paguaj rrogë gjykatësve, prokurorëve, Padrinos dhe me radhë. Por ajo që është dramë e çdo qytetari është shkatërrimi i dhjetëra mijëra vendeve të punës për shkak të zhvlerësimit të euros dhe dollarit. Rënia katastrofike e eksporteve në vitin 2022-2025 me 29%. Kjo rënie, të dashur qytetarë, do të thotë rrënim i dhjetëra mijëra vendeve të punës. Do të thotë largim masiv i shqiptarëve nga Shqipëria. Kjo rënie e euros dhe dollarit ka zhvlerësuar kursimet e shqiptarëve në banka në euro dhe në dollarë, në total 250 miliardë lekë. A e kuptoni ju mor ç’jeni apo jo? Po nuk ka krim më të shëmtuar sesa të votosh e të bëhesh mburojë për Padrinon. Ju jeni qenie shtetërore të drogës. Nuk jeni qenie njerëzore ju. Nuk jeni qenie shoqërore ju që e mbani këtë. Po, po. A e dini çdo të thotë të humbasin 250 miliardë lekë zhvlerësim të kursimeve të shqiptarëve? A e dini çdo të thotë ju të bjerë prodhimi bujqësor, industrial me 15%? A e dini çdo të thotë të përgjysmohet prodhimi bujqësor? Të gjitha këto, të gjitha këto sepse betoni dhe droga shkatërrojnë tregun”, tha Berisha.
Berisha e përgënjeshtron Ramën kur thotë është rritur ekonomia se është rritur prodhimi, gjithçka sipas tij lidhet me shpopullimin.
“O qytetarë, shikoni cinizmin ekstrem të këtyre kriminelëve. Po pse ka ndodhur kjo? Sepse prodhimi nuk është shtuar as një milimetër, as një kilogram, por kanë ikur shqiptarët. Është pjesëtuar prodhimi me 500 mijë shqiptarë më pak, dhe Fondi Monetar detyrohet të thotë po i rikorrigjoj të ardhurat për frymë për shqiptarët, jo se është rritur prodhimi, por sepse është pakësuar në mënyrë dramatike numri i qytetarëve. A e kuptoni pra se çfarë rreziku, çfarë armiqsh të egër jeni ju për shqiptarët mo? A e kuptoni se ju mbështesni këtë regjim? Pra, rriten me 1000 dollarë të ardhurat në letër, varfëria shtohet në qiell. Vendi i vetëm në botë!”, tha Berisha.
Nga spitalet, shkollat, rrugët, AKSHI, Inceneratorët dhe çdo investim tjetër Berisha i rendit të gjitha si vjedhje.
Berisha ju kërkoi llogari anëtarëve të asamblesë socialiste për qëndrimin që mbajtën në mbledhjen e Gjirit të Lalzit të shtunën.
“Dhe ju mbani mbyllur gojën aty. A e dini që në tre breza do ta vuani ju skenën e Lalzit, kur t’u shohin jo vetëm fëmijët tuaj, por nipat tuaj dhe nipat e nipave, se çfarë mallkimi keni qenë! Si mundet ju të qëndroni në atë mënyrë? Si mundet ju para të gjithë këtyre gjërave të heshtni? Kur shihni vendin që po rrokulliset. Si mundet ju kur shihni një popull të tërë në shesh, të bashkuar, socialistë, demokratë, të paparti, që kërkojnë largimin e Padrinos? Pra, ku jeni? Atëherë, çfarë buxheti është ky më thoni mua? Ky buxhet,shqiptarët i varfëron! Ky buxhet, shqiptarët i mashtron! Po ç’farë patriotizmi ju? Juve patriotizmin ua ka ngrënë xhepi, ua kanë ngrënë interesat tuaja. Pra, shikoni si jeni transformuar ju, si personazhe të Franc Kafkës. Më mirë ndaluni në nivelin e krimeve që keni kryer, mos shkoni më thellë. Sepse do t’ju marrë të gjithëve me vete”, tha Berisha.
Por ndërkohë ju kujtoi dhe deklaratat e Pandeli Majkos në pjesën e mbyllur të asaj mbledhje.
“Po denoncimi Majko, nga i jepni ju atij? Na thoni pak! Jo, jo, ta garantoj unë ty, rri ti se ti je rishtar, mos u përziej. Jo, jo se kaq naiv Gjinua nuk është sa të ngatërroj skenat erotike me skenat e tjera. I keni dhe ato ju! I keni! Dhe do të dalin, ua them unë, do të dalin. Prandaj, më mirë largohuni!”, tha Berisha.
Jashtë sallës ju bëri thirrje dhe partive opozitare por sërish dhe Elisa Spiropalit të nisi bashkëpunimin me demokratët dhe shpjegoi përse nuk do të bojkotojnë reformën zgjedhore.
/tvklan.al












Botërori 2026 