Raportim Live

SEANCA – LIVE

Koçiu: Buxheti 2027, ulje taksash dhe përfitime për pensionistët, bebet e studentët

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar disa nga prioritetet e Buxhetit 2027, të cilin e ka cilësuar si historik, me një vlerë prej 10 miliardë eurosh.

Përmes një reagimi në Facebook, Koçiu bëri të ditur se në fokus të buxhetit të vitit të ardhshëm do të jenë familjet shqiptare, përmes një sërë masash që synojnë lehtësimin e kostos së jetesës, rritjen e mbështetjes për pensionistët, uljen e tatimit mbi pagat për shtresat e mesme, si dhe mbështetjen për bebet, familjet e reja dhe studentët.

Ndër masat e përmendura janë ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës dhe ndryshimi i taksës së qarkullimit të karburanteve.

“Për të mos marrë kohën e kolegëve, meqenëse pasqyrat që mbajmë në duar na japin mundësinë për këtë komunikim, doja të ndaja drejtpërdrejt me qytetarët thelbin e këtij buxheti historik. Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike, por kjo fuqi nuk matet vetëm me shifra, investime apo me zhvillimin e vendit. Ajo matet mbi të gjitha me ndryshimet që sjell në jetën e përditshme të njerëzve.

Ne e dimë se rritja ekonomike nuk ndihet njësoj në çdo familje. Rriten pagat, por rriten edhe çmimet. Shtohen të ardhurat, por dhe nevojat dhe pritshmëritë e njerëzve. Një nënë që shkon në treg për të mbushur shportën e familjes, një pensionist që llogarit çdo lek për ushqimet dhe ilaçet apo një çift i ri që dëshiron të blejë shtëpinë e tij, nuk e matin ekonominë me statistika, por me mundësinë për të jetuar më mirë. E pikërisht për këtë arsye buxheti i vitit 2027 me një vlerë historike prej 10 miliardë eurosh vendos në qendër njerëzit dhe familjet shqiptare.

Kjo do të thotë më pak shpenzime për produktet bazë me uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produktet e shportës, 32% më pak për litër karburant në fond përmes ndryshimit të taksës së qarkullimit. Rritje më e madhe për pensionistët, më pak tatim mbi pagën për shtresat e mesme, mbështetje mujore për bebet gjatë pesë viteve të para, më shumë mundësi strehimi për familjet e reja dhe bursa më të larta për studentët në nevojë, sepse nuk mjafton që ekonomia të rritet.

Ajo duhet të përkthehet në më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë mirëqenie për qytetarët. Dhe kjo është Shqipëria evropiane që duam të ndërtojmë, një vend më i zhvilluar ku çdo familje ka më shumë siguri për të sotmen dhe më shumë besim”, tha Koçiu.

download app

Buxheti 2027/ Pirdeni: Modernizim i administratës dhe vlerësim i punonjësve mbi bazën e meritës

Ministrja Adea Pirdeni, tha se një pjesë e rëndësishme e fondeve nga buxheti 2027, do të shkojë për modernizimin e administratës publike dhe forcimin e kapaciteteve të saj. Ajo theksoi se synohet bashkimi i funksioneve të administratës publike dhe antikorrupsionit në një strukturë të vetme, përmirësimi i sistemit të karrierës mbi bazën e meritës dhe krijimi i një sistemi të ri vlerësimi për punonjësit. Sipas Pirdenit, këto reforma synojnë një administratë më efikase dhe të aftë për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian.

“Me integrimin e departamentit të administratës publike dhe antikorrupsionit, këto funksione do të ushtrohen tashmë brenda një strukture  të vetme institucionale. Modernizimi i shërbimit civil. Reforma Shkalla e Meritës synon të forcojë lidhjen mes kompetencave institucionale dhe zhvillimit në karrierë. Së treti, zhvillimi profesional i kapaciteve në administratë duhet të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht me nevojat reale të institucioneve dhe punës për integrimin.

Ministria parashikon kapacitete të reja e të dedikuara. Reforma shtrihet në të gjitha institucionet e administratës shtetërore. Një pjesë e rëndësishme e burimeve të planifikuara për 2027 do të mbështesë modernizimin e administratës publike dhe do të ketë një sistem të ri vlerësimi. Efektiviteti varet nga aftësia e punonjësve publikë për të përdorur burimet.

Ambicia jonë për një Shqipëri anëtare në BE kërkon një administratë të aftë të përmbushë standardet europiane dhe një shtet që e njeh dhe e vlerëson kontributin e njerëzve që punojnë për këtë çdo ditë”, tha Pirdeni.

Gonxhja: Rriten investimet në kulturë, prioritet Muzeu Historik Kombëtar dhe turizmi 12-mujor

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka prezantuar këtë të mërkurë në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, duke bërë të ditura edhe drejtimet kryesore ku do të përqendrohen investimet e institucionit.

Në fushën e kulturës, Gonxhja theksoi se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet transformimit të Muzeut Historik Kombëtar, si dhe zgjerimit të rrjetit kombëtar të muzeve. Ndërsa në sektorin e turizmit, objektivi kryesor mbetet forcimi i pozicionit të Shqipërisë si një destinacion turistik konkurrues përgjatë të 12 muajve të vitit.

“Pr.buxheti i ministrisë për vitin 2027 arrin në 7.65 miliardë lekësh, me një rritje prej 3.5% më shumë krahasuar me vitin 2026. Brenda këtij buxheti 2.74 miliardë lekë janë parashikuar për investimet publike, duke vijuar projektet madhore dhe duke krijuar hapësirë për projektet e reja.

Kjo rritje shoqërohet me një orientim të qartë drejt investimeve, rijetëzimit të pasurive tona kulturore. Brenda buxhetit të përgjithshëm, vetëm buxheti i kulturës rritet me 28% apo gati 4 herë. Të dhënat e vizitueshmërisë dëshmojnë këtë potencial. Për 2027-ën prioritet është transformimi i Muzeut Kombëtar dhe zgjerimi i rrjetit kombëtar të muzeve, me nisjen e ndërhyrjeve në 10 projekte prioritare. Investimet në trashëgiminë kulturore 4-fishohen në 2027.

Në turizëm objektivi është të konsolidojmë Shqipërinë si një destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit. Në vitin 2025 Shqipëria regjistroi 12.5 milionë vizitorë të huaj, kundrejt 3.26 milionëve të vitit 2013, duke shënuar një rritje thuajse 4-fish”, tha Gonxhja.

Buxheti i Brendshëm rritet me 12%, 3.3 miliardë lekë për pagat e punonjësve të policisë

Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2026 arrin në afro 40 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve, rreth 3.3 miliardë lekë, do të dedikohet për politikat e pagave të punonjësve të institucionit, me fokus të veçantë te efektivët e Policisë së Shtetit.

Sipas deklaratës së Demo-s, 8 mijë e 174 punonjës të nivelit bazë të policisë do të përfitojnë një rritje prej 23 mijë e 600 lekësh, përfshirë edhe efektin e vjetërsisë në punë, ndërsa për gradat e tjera parashikohet një shtesë prej 15 mijë lekësh në muaj. Kjo rritje, sipas tij, synon të çojë pagat e punonjësve të policisë në nivelin më të lartë të regjistruar deri më tani.

“Buxheti i Ministrisë së Brendshme për këtë vit arrin në afro 40 miliardë lekë: Këtë vit buxheti i Ministria e Brendshëm shkon afërisht  40 miliardë lekë, rritje dyshifrore krahashuar me vitin, plot 12% më shumë. 

Janë 3,3 miliardë lekë janë të fokusuar për politiken e pagave, për gjithë punonjësit. Janë 8174 punonjës të policie (inspektor)që do kenë rritje prej 23, 600 lekësh, duke përfshirë dhe vjetërsinë.  Edhe të gjithë gradat e tjera do të përfitojnë 15 mijë lekë në muaj. Kjo është paga me e lartë që kemi për punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Demo.

Buxheti, Ibrahimaj: Dyfishohen bonuset për pensionistët, ulet TVSH-ja për 54 produkte ushqimore

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend Projektbuxhetin e vitit 2027 për ministrinë që drejton, duke vënë theksin te rritja e të ardhurave për pensionistët dhe punonjësit, lehtësimi i kostos së jetesës, strehimi dhe mbështetja për të rinjtë dhe bizneset.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj bëri të ditur se buxheti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për vitin 2027 parashikohet të jetë rreth 42 miliardë lekë. Sipas saj, ekonomia shqiptare ka ruajtur vitet e fundit një rritje prej 3.5-4%, duke krijuar hapësira për politika rishpërndarëse në funksion të qytetarëve.

“Për ne, zhvillimi ekonomik nuk ka kuptim nëse nuk përkthehet në një pension më të mirë, në një pagë më të lartë, në një familje që përballon më lehtë kostot e jetesës”, deklaroi ministrja.

Dyfishohen shtesat mujore për pensionistët

Një nga masat kryesore të Projektbuxhetit është dyfishimi i shtesave mujore për pensionistët nga janari 2027. Konkretisht, shtesa për pensionet urbane të plota do të rritet nga 1,800 në 3,600 lekë, për pensionet urbane të pjesshme nga 800 në 1,600 lekë, për pensionet rurale nga 1,000 në 2,000 lekë, për pensionet familjare nga 700 në 1,400 lekë dhe për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 në 1,200 lekë.

Për këtë skemë janë parashikuar 20 miliardë lekë, ndërsa 4 miliardë lekë të tjera do të përdoren për indeksimin e pensioneve, i cili pritet të nisë në prill 2027.

“Pra, në total janë 24 miliardë lekë që janë të parashikuara për indeksimin dhe shtesën mujore të të ardhurave”, theksoi Ibrahimaj.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se objektivi i qeverisë deri në vitin 2030 është që asnjë pensionist urban me vite të plota pune të mos marrë më pak se 40 mijë lekë në muaj.

Më pak tatim për pagat deri në 300 mijë lekë

Një tjetër ndryshim i propozuar në Paketën Fiskale 2027 lidhet me rritjen e pragut të pagës për të cilën aplikohet tatimi 23%, nga 200 mijë në 300 mijë lekë në muaj.

Sipas ministres, kjo do të bëjë që një pjesë e pagës që aktualisht tatohet me 23% të tatohet me 13%.

Për një punonjës me pagë bruto 250 mijë lekë në muaj, ndryshimi do të përkthehet në rreth 5 mijë lekë më pak tatim çdo muaj. Nga kjo masë parashikohet të përfitojnë rreth 32,200 të punësuar.

TVSH-ja për 54 produkte ushqimore ulet në 6%

Në fokus të Paketës Fiskale është edhe lehtësimi i shpenzimeve për shportën ushqimore. Ibrahimaj njoftoi propozimin për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte bazë, mes të cilave mishi, peshku, qumështi, kosi, vezët, mielli, orizi, makaronat, frutat dhe perimet.

Sipas saj, kjo masë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 12.8 miliardë lekë në vit, të ardhura nga të cilat shteti do të heqë dorë për t’i lënë më shumë para në dispozicion të familjeve.

Ministrja theksoi se çmimet do të monitorohen përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”, ndërsa qeveria po përgatit edhe një nismë ligjore për t’u dhënë më shumë kompetenca institucioneve publike për të garantuar reflektimin e uljes së TVSH-së në çmimet për konsumatorët.

Paralelisht, Paketa Fiskale propozon rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21% për konsumin e përgjithshëm.

10 mijë mundësi për strehim

Në fushën e strehimit, Ibrahimaj bëri të ditur se për vitin 2027 janë parashikuar 1.2 miliardë lekë, ndërsa përmes programeve të reja synohet të ofrohen 10 mijë mundësi strehimi për qytetarët.

Mbështetja do të realizohet përmes subvencionimit të interesave të kredive dhe qirave, me fokus çiftet e reja dhe studentët e masterit.

Sa i përket punësimit dhe sipërmarrjes, ministrja përmendi zgjerimin e Garancisë Rinore në të gjithë vendin, programet e nxitjes së punësimit, mbështetjen për inovacionin dhe garancinë sovrane për bizneset që synojnë zgjerimin e aktivitetit.

42 miliardë lekë për ekonominë, punësimin dhe arsimin profesional

Nga buxheti i përgjithshëm i ministrisë, 28.13 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e diferencës së skemave të sigurimeve shoqërore, 5.07 miliardë lekë për arsimin e mesëm profesional, 3.8 miliardë lekë për tregun e punës dhe 1.2 miliardë lekë për strehimin.

Ibrahimaj u ndal edhe te mbështetja e industrisë vendase, duke njoftuar se ka përfunduar konsultimi publik për projektligjin “Made in Albania”, që synon nxitjen dhe promovimin e produkteve shqiptare.

Gjithashtu, ministria po punon për një projektligj për përshpejtimin industrial, në bashkëpunim me sektorët e industrisë, me synim rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin e prodhimit shqiptar në zinxhirët e vlerës së Bashkimit Europian.

Në përfundim të fjalës së saj, ministrja e cilësoi Projektbuxhetin 2027 si një buxhet të orientuar drejt familjeve shqiptare dhe u bëri thirrje deputetëve ta miratojnë atë.

LIVE- Seanca plenare

Kumbaro për buxhetin e arsimit: Mbështetje financiare për mbi 11,500 studentë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2027, ku arsimi i lartë përfiton rritjen më të madhe, me 14,23 miliardë lekë, ose 9,6% më shumë se një vit më parë.

Një nga ndryshimet kryesore është zgjerimi i mbështetjes financiare për studentët. Bursa për studentët nga familjet në nevojë theksoi ministrja do rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj dhe do të përfshijë për herë të parë edhe ciklin e studimeve master.

Nga paketa do të përfitojnë mbi 11,500 studentë, përfshirë 5,900 studentë nga familjet në nevojë, 5,500 studentë me mesatare 9–10 dhe 177 studentë të programeve me përparësi kombëtare.

“Në vitin 2027, me shtimin e buxhetit për arsimin e lartë, sigurohen rritja e bursës për studentët nga familjet në nevojë, e cila rritet nga 10.000 në 25.000 lekë në muaj, pra rreth 275 euro, dhe për herë të parë vijon edhe gjatë studimeve Master.
Kjo paketë mbështetje suporton mbi 11,500 studentë në tri kategori. 5.900 studentë nga familjet në nevojë marrin 25.000 lekë në muaj. 5.500 studentë me notë mesatare 9–10 marrin 10.000 lekë, dhe177 studentë të programeve me përparësi kombëtare marrin 50.000 lekë në muaj, me një ndryshim thelbësor sepse tanimë skema e mbështetjes financiare edhe për studentët e programeve prioritare, zgjerohet edhe në ciklin master
“, tha ministrja.

Ndërkohë, Kumbaro theksoi se buxheti për arsimin parauniversitar rritet me 1 miliard lekë, me fokus te arsimi gjithëpërfshirës dhe zgjerimi i programit “Pas Shkolle”.

Po ashtu, ministrja e Arsimit theksoi se edhe kërkimi shkencor përfiton më shumë fonde, me një rritje prej 28,2% për vitin 2027.

“Për Shqipërinë 2030, drejt BE-së”, Malaj shpalos shtyllat kryesore të Projektbuxhetit 2027

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në seancën plenare të kësaj të mërkure, Projektbuxhetin për vitin 2027, së bashku me Paketën Fiskale, duke e konsideruar atë një buxhet historik, me një vlerë të shpenzimeve publike që tejkalon 10 miliardë euro.

Në prezantimin e tij, Malaj theksoi se projektbuxheti është ndërtuar mbi tri prioritete kryesore, konkretisht në rritjen e mirëqenies sociale dhe mbrojtjen e qytetarëve, ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe qëndrueshmërisë së financave publike, si dhe nxitjen e investimeve, zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e integrimit europian (Lexoni më shumë…)

Prezantimi i buxhetit, fjala e plotë e kryeministit Rama