Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Grupin Parlamentar të PD-së sot më 17 nëntor ka sulmuar ashpër buxhetin dhe paketën fiskale për vitin 2027, duke pretenduar se ato do ta zhysin ekonominë në informalitet dhe do të rëndojnë qytetarët dhe bizneset. Ai e cilësoi buxhetin si produkt të një “narko-shteti”, ndërsa akuzoi qeverinë se e ka hartuar paketën fiskale në fshehtësi të plotë, pa respektuar detyrimin ligjor për konsultime publike.

Sipas Berishës, ndryshimet fiskale shkelin ligjet dhe Kushtetutën, duke cenuar sigurinë juridike të qytetarëve dhe bizneseve. Ai pretendoi se paketa është përgatitur pa transparencë, pavarësisht ndikimit që do të ketë në kontratat ekzistuese, planet e biznesit dhe parashikimet ekonomike. “Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narko-shteti”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha u ndal edhe te kundërshtimet e organizatave të biznesit, duke përmendur Dhomën Amerikane dhe Dhomën Gjermane të Tregtisë, të cilat, sipas tij, kanë shprehur kundërshtimin ndaj paketës fiskale. Ai tha se qeveria i ka vendosur bizneset përpara një fakti të kryer, duke injoruar kërkesat e tyre për konsultim dhe duke mos marrë parasysh pasojat që ndryshimet mund të sjellin në aktivitetin ekonomik.

Kreu i demokratëve akuzoi gjithashtu qeverinë se paketa e re favorizon një grup të kufizuar njerëzish, ndërsa barrën e pasojave do ta mbajnë qytetarët dhe bizneset. Sipas tij, mungesa e transparencës dhe ndryshimet e parashikuara në sistemin fiskal rrezikojnë të dëmtojnë sigurinë e sipërmarrjes dhe të nxisin informalitetin në ekonomi.

Berisha e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si “buxhetin më antipopullor dhe më antiqytetar të 36 viteve”, duke deklaruar se Partia Demokratike do ta kundërshtojë atë në mënyrë kategorike.

Sipas tij, paketa fiskale godet biznesin e vogël, profesionet e lira dhe shtresën e mesme, ndërsa favorizon një grup të kufizuar sipërmarrësish pranë qeverisë. Ai kritikoi edhe taksimin e karburanteve, duke theksuar se nafta në Shqipëri shitet 40% më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për shkak të taksave.

“Barazo taksën me këto vende dhe vendos rregullin që asnjë litër naftë të mos shitet më shtrenjtë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ndryshimet fiskale cenojnë sigurinë juridike dhe kontratat ekzistuese të bizneseve, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe antikushtetuese.

Më tej, Berisha tha se më 28 nëntor do të mbahet protesta më e fuqishme opozitare.

Berisha theksoi se 28 nëntori do të nderohet si dita e përkushtimit ndaj flamurit, himnit kombëtar dhe së ardhmes të Shqipërisë.

“Është një motiv i madh për qytetarët të derdhen në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë me datën 28 Nëntor. Nuk ka nder më të madh për flamurin kombëtar të këtij vendi se sa një protestë e fuqishme e paparë ndonjëherë nga shqiptarët ndaj këtij regjimi, ndaj këtij Padrinoje.

Duhet të nderojmë flamurin, duhet të nderohen me 28 Nëntor të rënët e kombit të të gjitha kohërave, sakrifica e tyre. Ndaj dhe ftoj të gjitha bizneset nga mbarë vendi të shndërrojmë 28 Nëntorin në ditën e nderimit më të madh të flamurit tonë.  Me një regjim si ky, pasiguria totale i pret shqiptarët.

Urdhëro ç’bën. Kur ky me aktet që janë, si të thuash, të sanksionuara në të gjitha ligjet, procedura e tij vepron në këtë mënyrë, imagjinoni.  Por ka dhe një motiv të madh, përveç kësaj, barbaria që ai tregoi ndaj studentëve nuk i falet kurrë.  Ato këmbë të thyera, ato krahë, ato kafka të çara, janë plagë për çdo shqiptar, sepse ato kanë qenë akte barbare, të një njeriu për karrigen e tij që ka pasur motiv vetëm urrejtjen ndaj rinisë shqiptare, ndaj të ardhmes së këtij vendi.

Edhe ky është një motiv madhor. 28 Nëntori, dita e përkushtimit tonë ndaj flamurit, himnit të tij dhe të ardhmes të Shqipërisë”, përmbylli Berisha.

/tvklan.al