Nga Foltorja e Ripërtëritjes në Durrës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar paralajmërime të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se pushteti i tij do të marrë fund nga qytetarët.
Berisha foli për protestat studentore, zgjedhjet e 11 majit, ndikimin e grupeve kriminale dhe mobilizimin e opozitës, ndërsa paralajmëroi se më 28 Nëntor shqiptarët do ta nderojnë Ditën e Flamurit më mirë se kurrë në historinë e tyre.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te revolta e studentëve, duke e krahasuar atë me lëvizjen studentore të dhjetorit të vitit 1990. Ai akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të kontrollojë edhe përfaqësimin e studentëve, ndërsa përshëndeti të rinjtë dhe pedagogët që janë bërë pjesë e protestave në Durrës, Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Sipas tij, reagimi i qeverisë ndaj protestuesve tregon ngjashmëri me mënyrën sesi regjimet autoritare përpiqen të shtypin kundërshtimin.
“Unë në emër tuaj dua t’u jap një përshëndetje të përzemërt studenteve, studentëve, pedagogëve të Universitetit të Durrësit, të universiteteve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për lëvizjen e tyre, për revoltën e tyre të paparë”, u shpreh Berisha.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit, duke deklaruar se përdorimi i forcës ndaj studentëve nuk do ta mbajë atë në pushtet. Berisha tha se të rinjtë do të vijojnë të protestojnë dhe se vendimin përfundimtar në përballjen mes qeverisë dhe qytetarëve do ta japë sovrani.
“Në të gjitha këto raste, fjalën e fundit, shtytjen e fundit, të shtënën e fundit e ka pasur sovrani. Dhe të garantoj se do e ketë edhe për ty”, deklaroi kreu i PD-së, duke shtuar se Rama nuk mund të qëndrojë në pushtet duke thyer kockat e studentëve dhe të rinjve.
Një tjetër çështje e rëndësishme në fjalën e Berishës ishin zgjedhjet e 11 majit, të cilat ai i cilësoi si farsë elektorale, të zhvilluara në kushtet e partisë shtet.
Kreu i opozitës pretendoi se qeveria ka përdorur administratën dhe burimet publike për të ndikuar te votuesit, duke përmendur 4300 aktivitete të zhvilluara gjatë fushatës, shpërndarjen e 100 eurove për 760 mijë pensionistë dhe amnistinë e 2.1 miliardë eurove gjoba e kamatëvonesa. Ai tha se këto veprime, së bashku me arrestimin e drejtuesve të partive opozitare dhe procedurat e punësimit e legalizimit, kanë ndikuar në procesin zgjedhor.
Berisha akuzoi gjithashtu grupet kriminale se kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve gjatë zgjedhjeve, duke përmendur situatën në Durrës dhe emra që, sipas tij, kanë ndërhyrë në proces. Ai u zotua se personat që i cilësoi si pjesë të këtyre grupeve, si dhe mbështetësit e tyre politikë, do të përballen me drejtësinë.
“Jo vetëm ata, por edhe grupet kriminale në Shkodër, në Elbasan, në Fier, në Vlorë, nuk do munden më kurrë këta vrasës të intimidojnë, të trembin qytetarët”, deklaroi Berisha, duke shtuar se “bashkë me Padrinon e tyre edhe ata do përfundojnë para ligjit”.
Kreu i PD-së u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit, duke e cilësuar mobilizimin e qytetarëve si një nga shpërthimet më të fuqishme popullore. Sipas tij, në protestë u bashkuan demokratë, socialistë dhe qytetarë pa bindje partiake, të pakënaqur me qeverisjen. Berisha pranoi se lëvizja nuk arriti objektivin për largimin e Ramës, por shtoi se e ka diskredituar kryeministrin brenda dhe jashtë vendit.
“Jemi në agun e një fitoreje të vërtetë mbarëshqiptare. Edi Rama i ka kohërat e numëruara”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një nga regjimet më të diskredituara në Evropë dhe në botë.
Në vijim, ai u ndal te situata në Durrës, duke sulmuar ndërtimet që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë qytetin bregdetar. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se përdor vendimmarrjet për pensionet dhe lejet e ndërtimit, si mjete për të forcuar ndikimin politik.
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër qeverisë, ndërsa paralajmëroi se Dita e Flamurit do të shënohet këtë vit me një pjesëmarrje dhe nderim të veçantë nga shqiptarët.
“Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre”, deklaroi Berisha.
/tvklan.al












Botërori 2026 