29 shtator 2026- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur në Strasburg shqetësimin për largimin e shqiptarëve nga vendi, duke e cilësuar emigracionin si një prej kërcënimeve më serioze për të ardhmen demografike të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te roli i diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një faktor historik të rëndësishëm për mbijetesën, liritë dhe zhvillimin kulturor të vendit.

Duke iu referuar një studimi të “Justin Gast”, Berisha tha se emigracioni mund të shkaktojë atë që ai e cilësoi si “rrjedhje demografike”, me pasoja të rënda për vendet e origjinës.

Sipas Berishës, situata në Shqipëri ka marrë përmasa të tilla sa vendi ndodhet përballë një “kërcënimi real ekzistencial”.

Ai iu referua gjithashtu të dhënave të Eurostat-it, duke deklaruar se 466 në çdo 1 mijë shqiptarë jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

Berisha ia atribuoi këtë situatë politikave të qeverisë Rama, duke përdorur termin “narkoshtet” për të përshkruar Shqipërinë. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për dështim në luftën kundër trafikut të drogës.

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i PD-së kërkoi një angazhim më të madh ndërkombëtar për të luftuar atë që Berisha e cilësoi si “narkoshteti shqiptar”.

“Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë.

Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.

Justin Gast, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “zbrazje demokratike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda.

Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi.

Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa. Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin. Faleminderit shumë“, theksoi Berisha.

/tvklan.al