Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është paraqitur këtë të hënë, më 16 mars, në SPAK, si pjesë e masës së sigurisë ndaj tij për “detyrim paraqitjeje”, lidhur me çështjen e dosjes “Partizani”.
Gjatë një prononcimi për mediat, kryedemokrati i përcolli një mesazh kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se dosja e tij nuk është e mbyllur dhe se populli do i tregojë vendin, duke e dërguar në bankën e të akuzuarve.
“Kurse, meqenëse jam këtu, i them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton.”, u shpreh Berisha.
Mes të tjerash, kreu i PD-së foli për protestën e thirrur në datën 22 mars, duke iu bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë, pasi sipas tij kjo do të jetë kryengritja më e madhe paqësore që ka njohur vendi ynë.
“22 marsi është ditë frymëzimi për shqiptarët, është dita kur de facto me votë rrëzuan diktaturën më të egër që kishin njohur. 22 marsi është dita në të cilën shqiptarët ftohen në kryengritjen e tyre më të fuqishme paqësore që ka njohur Tirana dhe Shqipëria. Sot, çdo qytetari i them kaq, se fati i tij, fati i Shqipërisë është sot më shumë se kurrë në duart e qytetarëve.
Kjo është e vërtetë për aq sa është fat integrimi i Shqipërisë në BE se ai është fati më i mirë për Shqipërinë dhe për çdo qytetar. Pra, 22 marsi është një betejë për Europën, për rrugën evropiane. Është një betejë kundër një njeriu që për të mbrojtur vjedhjet e tij, iu mbylli shqiptarëve dyert e integrimit në BE. Këto dyer nuk mund t’i hapë askush, nuk mund t’i hapë asnjë vend, nuk mund t’i hapë asnjë institucion tjetër përveç qytetarëve shqiptarë, të cilët duhet të ngrihen fuqishëm në këtë betejë!”, u shpreh ai.
“Rama mori pasurinë publike për Dubai City-n e tij”
I pyetur nga gazetarët të përmendë dosjet ku implikohet kryeministri Rama, Berisha u shpreht se ato janë të panumërta. Megjithatë veçoi disa prej tyre, si dosjen e Tunelit të Llogarasë, apo të Portit të Durrësit.
“Po të më pyesje mua, më gjej një dosje që nuk implikohet, unë do e kisha shumë të vështirë të mos gjeja. Po dosje që implikohet, janë të panumërta. E tillë është dosja e tunelit të Llogarasë me 50 milionë euro të zhdukura me një firmë. E tillë është dosja e inceneratorit të Tiranës, ku Edi Rama shpalli emergjencën kombëtare për të ardhur tek inceneratorët dhe e paraqiste atë si transformimin e madh sepse Edi Rama ka firmosur, i ka dhënë 8 pikë kompanisë 8 muaj para themelimit të saj. Sepse Edi Rama ka përgjegjësi si kryeministër, janë disbursuar 130 milionë euro, nuk është bërë asnjë kontroll, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti. Është dosja e Porto Romanos ku së bashku me thjeshtrën kanë duart e tyre të zeza sepse është një projekt i bërë në studion ku punonte thjeshtra. Kanë futur në xhep të paktën 13 milionë euro me një të rënë të lapsit.
Është dosja miliardere e portit të Durrësit. Dosja që shkon të paktën 4 miliardë euro sepse vetëm toka, pronë publike, kushton rreth 3.8 miliardë euro, plus sa kushton porti. Është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve që u merret nga Edi Rama për Dubai City-n e tij dhe gjobiten me 1 miliard euro për të ndërtuar një port 4 gjer në 8 herë më të vogël se porti i Durrësit. Dhe del e mashtron e thotë se do jetë porti rajonal i Korridorit të tetë. Pra, gjithçka në funksion të vjedhjes së tij.”, tha Berisha, duke shtuar se nuk ka aferë më të madhe se kjo e fundit.





Berisha përsëriti akuzat ndaj sistemit të drejtësisë në vend, duke thënë se ka mbrojtur në paligjshmëri, gjyqtaren Irena Gjoka.
“Tani, në qoftë se ka një sistem turpi dhe qesharak, është ky sistem i kësaj drejtësie. Do t’u jap sot vetëm një shembull. Irena me 5 mbiemra, e cila mbrohet nga Altin Troplini sepse për ta mbrojtur, i ka hapur hetim pa emër, për ta mbrojtur nga çdo lloj mase, lëshoi tek këmbët e saj apo bëri t’i lëpijnë çizmet e veta institucionet që vijojnë: Prokurorin e Përgjithshëm, qëiu desh dy vite për të nxjerrë një vendim, i cili ishte evident që në javën e parë. Prokurori i Përgjithshëm u zvarrit dy vite duke lëpirë çizmet e Irena Gjokës me shumë mbiemra, sepse nuk kishte të qartë se vula apostile nuk kërkon vërtetime. Ajo është vulë e sanksionuar në marrëveshjet ndërkombëtare si vulë zyrtare.
Pas Prokurorit të Përgjithshëm, kulmin e arrin KLGJ-ja, e cila në akte mashtrimi, në akte kriminale ka hedhur poshtë kërkesat për shqyrtimin e saj dhe njërën radhë, imagjinoni ju këtu, pasi avoketërve të mi iu ktheu përgjigje me shkrim se Irena me 5 mbiemra ka qenë e shkarkuar nga ish-presidenti i Republikës, kryetari i KLD, Sali Berisha në vitin 1996, kur ky dokument u kërkua nga deputetët e PD 3 javë më vonë, iu përgjigj se ndaj kësaj zonje nuk ekziston një dokument i tillë. Pra a mund të imagjinoni një institucion zyrtar që mashtron dhe shumëzon veten me zero për hir të Irenës me 5 mbiemra apo që lëpin çizmet e Irenës? Është një term i marrë hua nga një roman i hershëm.
Pastaj vjen famozi ILD, edhe ai nuk mund të bënte përjashtim pasi dokumentet kalonin nga njëri tek tjetri. Por kulmore është kjo, jo se ata zbatuan në mënyrën më të shpifur urdhrat e Edi Ramës gjer në vetasgjësim, por ata nuk japin dokumentet. U kërkohet tani dosja, por nuk e japin. Nuk i japin dosjen palës ankuese. A mund të imagjinohet?”, tha Berisha duke shtuar se kjo është gjendja më e turpshme e këtyre institucioneve.
Siç bën zakonisht në daljen e tij për mediat nga SPAK, Berisha lexoi dhe një mesazhin që thotë se la në Prokurorinë e Posaçme: “Altin Troplinit, mercenarit të Edi Ramës, armikut të egër të votës së lirë, Pojës së Skapit, drejtësia dhe ligji vonojnë, por nuk harrojnë”.
Si zakonisht, edhe në këtë paraqitje para SPAK-ut, Berisha u prit nga një grup mbështetësish dhe disa prej deputetëve të PD-së.












Botërori 2026 