“Qeveria po përgatit ndryshimet me qëllim forcimin e krimit”

Grupi Parlamentar i PD do të përshkallëzojë aksionin opozitar në parlament, deri në ngritjen e komisioneve që janë rrëzuar nga mazhoranca. Në përfundim të mbledhjes së grupit, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi nisjen e mosbindjes civile në të gjitha nivelet në vendin tonë.

Teksa vijon me organizimin e aksionit opozitar, paralajmëroi ndryshime në qeverinë “Rama”.

“Po bëhen gati riformatime të tjera të qeverisë, të cilat synojnë asgjë tjetër, veçse konsolidimin e krimit në këtë qeveri”.

Edhe Bardhi paralajmëroi se opozita po shkon drejt masave ekstreme në shenjë proteste për komisionet e refuzuara nga socialistët.

“Sfida jonë e rradhës do të jetë seanca dy ditore për shqyrtimin e buxhetit të oligarkisë dhe jo buxhetit në ndihmë të qytetarëve shqiptarë.”

Bardhi dhe Berisha ndahen tek qëndrimi që kanë ndaj Lulzim Bashës. Ish-kryeministri thotë se Bashës i ka vënë vijën e kuqe dhe se nuk pranon asnjë lloj bashkëpunimi.

“Humbi edhe aty, nuk është misioni im të kërkoj të humburit.” 

“Kur fillon piqet misri ose gruri, vërshojnë zogj dhe sorra  për t’u ushqyer atëherë fermerët bëjnë një dordolec dhe e vënë aty që shpendët mendojnë se është njeri. E mban Edi Rama si shpif arash,”

Duke e ironizuar, Bardhi thotë se do pranonte bashkëpunimin me Bashën kur të ndihet opozitar i vërtetë.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur takimet me bazën për të nisur aksionin jashtë parlamentet, por këtyre takimeve nuk i është bashkuar Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë.

Klan News

/tvklan.al