Parlamenti do të nisë së shpejti procedurat ligjore për ti hapur rrugë referendumit popullor për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Një nismë kjo e shpallur nga kryeministri Berisha pas bllokimit nga opozita të draftit konsensual në seancën plenare të 6 Gushtit.
Gjatë mbledhjes së qeverisë zoti Berisha i kërkoi Këshillit të Legjislacionit të nisë nga puna për shqyrtimin e procedurave ligjore, përmes të cilave qytetarët do të shprehen me votë popullore për zhveshjen e zyrtarëve të lartë nga mburoja e imunitetit.
Sali Berisha: “Referendumi do bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës në gërmë dhe në frymën e saj, ndaj dhe do ti kërkojmë Këshillit Legjislativ të parlamentit të elaborojë platformën për hapa të mëtejshme të këtij akti madhor, në të cilën qytetarët shqiptarë le të shprehen. Koha e zhvillimit të referendumit do përcaktohet nga institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera. Po pse ne i lejojmë vetes kaq të drejta që na i delegojnë ata për të marrë me dhjetëra dhe qindra vendime, kurse ata të mos kenë të drejtë të marrin një vendim për ne, përveç se kur hedhin votën dhe na zgjedhin. Kjo nuk mund të ndodhë. Edhe ata do të kenë të drejtë të plotë të flasin për ne. Kush të ketë frikë le të dalë mënjanë. Të ikë nga politika. Ka frikë nga vetja e tij.”
Kryeministri Berisha ripërsëriti akuzën në adresë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, si politikani që do të mbahet mend në historinë e parlamentarizmit që u mohoi shqiptarëve të drejtën për të qenë anëtar në Bashkimin Europian.
Sipas shefit të qeverisë mbajtja e murit të korrupsionit nga opozita diktohet nga interesa të ngushta klanore e korruptive të grupit të miliarderëve që sundojnë selinë rozë.
Sali Berisha: “6 Gushti do mbetet një histori, si një datë në të cilën kryetari i Partisë Socialiste dhe një klub miliarderësh që sundon me dorë të hekurt në atë parti, nuk lejoi klubin parlamentar që të votojë në favor të kandidatit për vend anëtar në Bashkimin Europian për të shembur murin e korrupsionit që rëndon çdo ditë mbi shpatullat e fëmijëve, grave, burrave, pensionistëve, të papunëve. Më rëndë sesa pallatet e klubit të miliarderëve. Zoti Rama harron se për çdo qytetar shqiptar është e qartë si pritja e diellit, se dje bllokimin e shembjes së murit të korrupsionit dhe bllokimin e statusit të vendit kandidat nuk e bënë qytetarët shqiptarë, socialistët e thjeshtë apo qytetarët pa parti apo demokratët e tjerë. E bën kryekëput interesa të lidhura me pasuri të paligjshme, me taksa të fshehura të mamasë apo Dajkos apo babait duke përdor imunitetin me trafiqe të paligjshme përfshirë dhe pluhurin dhe trafiqet të tjera kriminale. E bënë përfitime të paligjshme mbi troje publike dhe toka të tjera të grabitura. Keni dëgjuar jo ndonjëherë kupolën e Partisë Socialiste miliardere të flasë për interesa të biznesmenëve. Mor qoftë dhe të thotë se qeveria po tregohet klienteliste. Kurrë ndonjëherë, se për ta përveç pasurimit të tyre të paligjshëm në botë nuk ekziston kush tjetër dhe asgjë tjetër.”
Duke e cilësuar një çështje jetike për vendin heqjen e imunitetit ndaj zyrtarëve të lartë dhe një kërkesë të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar në luftën pa kompromis kundërr korrupsionit, kryeministri Berisha tha se mbetet më i vendosur se kurrë në përmbushjen e këtij detyrimi për të vënë përpara barazisë së ligjit të gjithë shtetasit shqiptar./tvklan.al












Botërori 2026 