Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj Kuvendit të Shqipërisë për marrjen e autorizimit për heqjen e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, si dhe ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për çështjen.
Berisha, ka akuzuar kryeministrin Rama se po përpiqet të mbrojë zëvendëskryeministren Balluku pas kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj. Sipas Berishës, qëndrimi i Ramës tregon se ai e konsideron Ballukun si një “mburojë politike”, pasi, sipas tij, të dy janë të përfshirë në të njëjtat afera. Në fund të reagimit, Berisha shprehet se vendimi përfundimtar do të merret nga populli në protestën kombëtare të 22 dhjetorit, të thirrur prej tij.
“Rama do të përdorë si mburojë fustanin e Lubisë! Në reagim të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunutetit dhe arrestimin e Lubisë, Rama nëpër rrjeshta shpall se ai do mbrojë Lubinë me çdo çmim sepse mbron veten e tij. 50 milionë euro i kanë ndarë bashkë. Reagimi i tij në X mund të mblidhet me dy fjalë: ‘Jetën e japim Lubinë nuk e japim.’ Imagjinoni kur t’i komunikojnë akuzën vetë atij? Qytetarë është ora juaj! Populli do të thotë fjalën e tij me 22 Dhjetor!”, shprehet Berisha.
Më herët, kryeministri Edi Rama, fill pas kërkesës së SPAK-ut tha se vendime të kësaj natyre janë kthyer në modë të vrazhdë në vend e madje në shqetësim për Këshillin e Europës. Duke theksuar se mazhoranca nuk mund të paragjykojë kërkesën e prokurorit special, paralajmëron se “socialistët do të përgatiten për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë”.












Botërori 2026 
