Një ditë pas protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim online me qytetarët. Në fjalën e tij hyrëse, ai dënoi dhunën e ushtruar gjatë tubimit, duke akuzuar punonjësit e policisë për përshkallëzim të situatës.
“Regjimi përdori të gjitha mjetet e dhunës, s’kurseu as plumbat e gomës, me snajper në ballë, nuk kurseu adoleshentët, të mitur. Protestuesit u qëlluan me snajper, me bombulat e gazit pa koke”, tha Berisha.
Kreu i demokratëve deklaroi se gjatë protestës është sulmuar selia e partisë. Ai paralajmëroi kryeministrin për, një përgjigje të ashpër në vijim.
“Janë hedhur në oborrin e Selisë së PD, sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit”, u shpreh Berisha.
Në bashkëbisedim, ai këmbënguli se protesta ishte paqësore dhe mohoi akuzat se protestuesit kanë lënduar efektivët e policisë.
“PD është në një kryengritje paqësore. Asnjë anëtar i forcave të rendit nuk është gërvishtur gjatë gjithë protestave tona. As edhe një i vetëm”, pohoi Berisha.
Sipas tij, socialistët përdorën patronazhistë të maskuar për të penguar qytetarët që t’i bashkoheshin tubimit.
“Do marrin urdhër protestuesit që çdo të maskuar ta zhveshin, ta sulmojnë dhe ti heqin maskën e ta nxjerrin në publik se kush është”, tha Berisha.
Berisha tha gjithashtu se opozita po fiton mbështetje edhe në arenën ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë.
“Kredencialet e PD-së janë sot më të certifikuara se kurrë. Janë 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha forcave politike, të cilët mbështesin plotësisht PD”, u shpreh ai.
Ai komentoi edhe pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në themelimin e Bordit të Paqes në Shtetet e Bashkuara, duke hedhur akuza se takime të tjera të kërkuara nga ana e kreut të qeverisë janë refuzuar.
“Takimet e kërkuara nga Ramaduro u refuzuan nga zyrtarë shumë të lartë të SHBA. Dhe unë i falënderoj ata për qëndrimin e tyre.”
Në përmbyllje, Berisha u shpreh i bindur se protestat e ardhshme do të sjellin më shumë rezultat dhe bëri thirrje për pjesëmarrje masive.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 