Protesta e 23 Dhjetorit ishte në fokusin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar, merrte pjesë fizikisht pas rreth 11 muajsh edhe kryedemokrati Sali Berisha. Para anëtarëve Këshillit, Berisha kërkoi mobilizimin të të gjitha strukturave për protestën e së hënës, duke e cilësuar si më të fuqishmen.
“Më datën 23 Dhjetor, ditën e hënë, në orë 17:00, kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Ndaj dhe kjo mosbindje, Tiranën nga Qafë Priska gjerë në Vorë duhet ta bllokojmë plotësisht, totalisht nga të gjitha drejtimet”.
Gjatë fjalës së mbajtur për afro një orë, Berisha nuk i kurseu akuzat si për kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj, duke theksuar se po përdorin drejtësinë për të sulmuar njëri-tjetrin.
“Dy familjet kryesore të pushtetit janë vërsulur kundër njëra-tjetrës për t’i nxjerrë sytë dhe gjuajnë me dosje të rënda njëra-tjetrën. Rama dhe Veliaj, Veliaj dhe Rama. Pra, ka një betejë aty e cila merr çdo ditë aspektet më të egra. Erion Veliaj bën gjithçka që të arrestohet kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës. Rama çdo gjë që të arrestohet Veliaj me të shoqen, se të dy e meritojnë. Të gjithë e meritojnë këta. U thashë, këta e gjuajnë njëri-tjetrin me dosje”.
Përveç mosbindjes civile, Berisha kërkoi që strukturat të përgatisin grupet e punës për zgjedhjet e ardhshme. Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet, pritet që kryedemokrati Berisha të nisë turin e takimeve në të gjithë vendin dhe më pas edhe me diasporën.
Tv Klan