Në një konferencë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me mazhorancën në lidhje me Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Madje u shpreh se deputetët e opozitës do të hartojnë reformat e tyre.
“Ne kemi ndërprerë bashkëpunimin me narkomazhorancën, ne krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare. Me media me të gjitha dhe ne krijojmë, paraqesim para shqiptarëve reformën tonë territoriale.
Do bëjmë reformën e vërtetë. Janë deputetët tanë që do e bëjnë. Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi do të jenë ata që do të kryesojnë komisionet nga ana e PD, sepse do jetë bashkë me opozitën për reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim, ka vetëm betejë.”, tha Berisha.
“Nesër dita e gjykimit”
Mes të tjerash, duke u ndalur në protestën e së shtunën e 24 janarit, qytetarët shqiptar do t’i bëjnë gjyqit kryeministrit Rama. Madje ditën e nesërme e konsideroi si “Ditën e Gjykimit” për këtë qeveri.
“Nesër është prova e madhe, është dita e guximit, e revoltës, e zemërimit, e ngadhënjimit qytetar mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë, që ka pllakosur këtë vend nga ditët e zeza të diktaturës hoxhiste gjer sot. Nesër qytetarët, populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit të këtij kombi. I bën gjyqin kryeministrit të lidhur kokë e këmbë me vrasës, banditë, trafikantë. I bën gjyqin antishqiptarit më të zi të kohërave që ka përzënë nga ky vend në 10 vite 1 milion e 100 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën evropiane, pa llogaritur hapësira të tjera. Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën.
Por nesër është dita e gjykimit të popullit shqiptar për një organizatë kriminale që nuk e ka sot asnjë vend tjetër në Europë.”, tha Berisha.
Seanca në Kushtetuese për Ballukun, Berisha: Dita më e turpshme!
Berisha komentoi edhe seancën publike të ditës së djeshme që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ankimimin e qeverisë për çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Dita e djeshme do të regjistrohet në muret e kohës si një nga ditët më të zeza të historisë së ligjit, Kushtetutës, drejtësisë në këtë vend. Dje, para shqiptarëve, seriali i hajdutëve dhe kryehajdutëve, Edi Rama, Niko Peleshi, Haram Begaj, u paraqitën në pafytyrësi të plotë para prokurorëve që zbatonin ligjin në sallat e Gjykatës puçiste Kushtetuese. U paraqitën për të kompletuar grushtin e tyre të shtetit. Kurrë në histori të këtij vendi dhe asnjë vendi tjetër, nuk ka ndodhur që tre drejtuesit më kryesorë të rendin në Gjykatë Kushtetuese kundër vendimit të një gjykate dhe një prokurori për pezullimin e zëvendëskryeministres të kapur në flagrancë me një seri aferash korruptive, vjedhjesh monstruoze. Nuk ka ndodhur. Nuk ka ditë më të turpshme për atë gjykatë, për këto institucione turpi se dita e djeshme.”, tha Berisha.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të qeverisë u vunë në rresht për të mbrojtur zëvendëskryeministren Balluku, “vetëm e vetëm për shkak të vjedhjeve të tyre, të cilat janë në ato proporcione sa i bën ata ta kenë të qartë se do kenë fatin e Lubisë”.
Ai shtoi se “Të gjitha institucionet u bënë dje mur për të mbrojtur korrupsionin!”, ndërsa kritikoi edhe gjykatat. Sipas Berishës qytetarët janë shpresa e vetme e këtij vendi, ndaj u bëri thirrje të bashkohen në protestën e së shtunës.
“Shpresa e vetme janë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe dita e djeshme faktoi edhe njëherë të dashur qytetarë dhe qytetare se e vetmja shpresë e këtij vendi, e vetmja shpresë e këtij kombi, e vetmja shpresë e të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë jeni ju. Jemi në kilometrin e fundit. Me guxim dhe besim, të vendosur të bëjmë çdo gjë për përmbysjen e këtij regjimi. Nuk ka shok në botë, tëra institucionet bëhen mur korrupsioni. Katër, edhe gjykata me ta. Institucionet më të larta të shtetit. Të turpit. Të kleptokracisë. Të narkoshtetit. Në të gjithë terminologjinë botërore të formave të shtetit, shtetit aktual të sotëm në Shqipëri i përshtatet më shumë se çdo gjë tjetër, shtet i kakistokracisë. Nga greqishtja e lashtë, më i keqi. Dhe ky është më i keqi. Ndaj qytetarë, të bashkojmë forcat dhe t’u tregojmë vendin. Bota po u tregon vendin këtyre në mënyrën më të vendosur.”, shtoi Berisha.
“Rama mashtroi për Davosin, ishte i padëshiruar”
Kryedemokrati komentoi dhe zhvillimet e djeshme lidhur me themelimin e Bordit të Paqes në Davos, ndërkohë që në Tiranë votohej në Kuvend për aderimin e Shqipërisë në këtë bord dhe vajza e presidentit amerikan Donald Trump kishte vizituar jugun e vendit tonë. Sipas Berishës, Rama ishte i padëshiruar në ceremoninë e djeshme në Davos.
“Edi Rama, i cili tundi një ftesë që i erdhi Shqipërisë, nuk e gëzoi dot. Përkundrazi. Mos guxo, nuk do të shoh surratin, ky ishte mesazhi. Dhe vinte në parlament i shpërfytyruar. E patë vetë ju qytetarë, shiheni prapë se si qëndronte i shpërfytyruar. Në një kohë kur mblodhi parlamentin ku të firmoste, të thoshte se Parlamenti ratifikoi. Por boja iu tha në penë. Mbeti siç është, i padëshiruar në Europë dhe në botë.“, tha Berisha.
Më pas, i pyetur nga gazetarët lidhur me komentin e djeshëm të kryeministrit Rama, se arsyeja pse nuk ishte në Davos, është se zgjodhi me porosi të Donald Trump të takonte vajzën e tij, Berisha tha se ky ishte një mashtrim.
“Besoj se asnjeri në botë nuk mund të besojë një mashtrim të tillë, tani që unë të them këtë, duhet të them që presidenti amerikan përdor vizitën e vajzës për të shpëtuar prej tij. Por kjo s’mund të ndodhë kurrë sepse presidenti amerikan ka respektin më të madh për vajzën e tij. A i e kupton se është Ramaduro dhe është vetëm një aferë biznesi dhe nuk ka asnjë lidhje me themelimin e Bordit të Paqes, ku Rama u ndalua në atë sallë historike, nuk mund të ishte. E tregoi ai, dy-tre prej tyre nuk mund të jenë. Nga këta njëri është Rama dhe tjetrin e gjen më vonë.”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha u shpreh se në protestën e nesërme, opozita bashkë me qytetarët do t’i japin një mësim qeverisë, madje ai i bëri thirrje kryeministrit: “Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë.”
/tvklan.al












Botërori 2026 